Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Për herë të parë, Bideni bën thirrje për “pauzë” humanitare në Gaza

Presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për një “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas, pasi fjalimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor u ndërpre të mërkurën mbrëma nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.

Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrim, pasi Biden dhe ndihmësit e tij, gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme kanë qenë të palëkundur në deklarimet e tyre se nuk do të diktojnë se si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të militantëve palestinezë të Hamasit.

Por presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut nga liderët botërorë, por edhe nga anëtarët më liberalë të partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gazë janë ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim.

Në deklarimin e tij, Biden i bëri presion kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’u ofrojë palestinezëve të paktën një pushim të shkurtër nga operacioni i vazhdueshëm ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur dhe e ka zhytur Rripin e Gazës në një katastrofë.