Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pekini bën gati 1.000 shtretër shtesë për të prekurit me COVID-19

Pekini bën gati 1.000 shtretër shtesë për të prekurit me COVID-19

Njëmijë shtretër të spitalit janë duke u bërë gati në Pekin, derisa vendi po pret të përballet me një rritje të rasteve me COVID-19, kanë raportuar mediat shtetërore.

Raportet jozyrtare të brendshme pretendojnë se mijëra shtretër janë përgatitur në një qendër të centralizuar karantine pranë aeroportit, por media shtetërore nuk i ka konfirmuar këto përgatitje.

Përgatitjet po bëhen pasi kryeqyteti i Kinës po lufton me një valë të re të infeksioneve, e cila vetëm në dy javët e fundit ka sjellë 450 raste të reja, shkruan Sky News të martën.

Të premten të gjitha shkollat në Pekin u urdhëruan të mbyllen nga Byroja e Arsimit, pasi qyteti po përpiqet që të ndalë një shpërthim më të gjerë të COVID-19.

Pekini urdhëroi gjithashtu restorantet dhe palestrat të mbyllen për festën kombëtare të 1 majit që zgjat deri të mërkurën, ndërsa vendet kryesore turistike në qytet, duke përfshirë Qytetin e Ndaluar dhe Kopshtin Zoologjik të Pekinit, mbyllën sallat e tyre të brendshme të ekspozitës të martën.

Njerëzit u panë gjithashtu duke grumbulluar furnizime ushqimore pasi qyteti prej 21 milionë banorësh iu nënshtrua testimit masiv javën e kaluar.