Botë

PayPal bllokon faqen që ndihmoi financimin e personave që sulmuan Kongresin e SHBA-së

Kompania amerikane “PayPal Holdings Inc” ka bërë të ditur se ka bllokuar faqen e krishterë të financimit të fondeve, “GiveSendGo”, pasi ndihmoi në mbledhjen e fondeve për njerëzit që morën pjesë në ngjarjen e javës së kaluar në Uashington, kur mbështetësit e presidentit Donald Trump sulmuan Kongresin.

Kompania digjitale e pagesave ka konfirmuar për Reuters se e ka mbyllur po ashtu llogarinë e cila mbahej nga Ali Alexander i cili ishte një prej organizatorëve të kësaj ngjarjeje e cila tronditi SHBA-të dhe gjithë botën.

Platformat online dhe mediat sociale janë duke e distancuar vetën nga kjo ngjarje dhe po ashtu po ndërmarrin veprime kundër atyre që kanë inkurajuar dhe mbështetur dhunë në Kongres.

Twitter ka bërë të ditur se ka pezulluar më shumë se 70 mijë llogari që nga e premtja.

Po ashtu, një numër i madh i kompanive amerikane kanë bërë të ditur se do të ndërprisnin kampanjat kontribuuese për ata që votuan për ta sfiduar fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin të mërkurën e kaluar në përpjekje për të ndaluar certifikimin e Biden si president nga Kongresi Amerikan.