Tech

Indonezia ia rikthen qasjen PayPal-it

Indonezia ka hapur përkohësisht aksesin në firmën e pagesave në internet PayPal, për të lejuar përdoruesit të kenë qasje në paratë e tyre, tha një zyrtar i lartë të dielën.

Vendimi erdhi pasi bllokimi i vendit ndaj disa shërbimeve dhe lojërave në internet shkaktoi një protestë, raportoi Reuters të dielën.

Ministria indoneziane e komunikimit bllokoi të shtunën PayPal, uebsajtin e motorit të kërkimit Yahoo dhe disa shërbime të lojërave për shkak të dështimit për të përmbushur një afat sipas rregullave të licencimit.

Regjistrimi kërkohet sipas rregullave të lëshuara në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe do t'u japë autoriteteve kompetenca të gjera për të detyruar platformat të zbulojnë të dhënat e përdoruesve të caktuar dhe të heqin përmbajtjen që konsiderohet e paligjshme ose që "prish rendin publik”.

Semuel Abrijani Pangerapan, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Komunikimeve të Indonezisë, tha në një konferencë në internet të dielën se qeveria do ta hapë aksesin në PayPal për pesë ditë pune.

“Shpresojmë se kjo është koha e mjaftueshme që përdoruesit të migrojnë, të marrin paratë e tyre dhe të gjejnë shërbime të tjera”, tha ai, duke shtuar se ende nuk kishte asnjë komunikim nga PayPal.