Botë

Të Gjelbrit e FDP-ja përafrohen për nisjen e “valles” së koalicionit

Liderët e dy partive më të vogla, por të rëndësisë madhore për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Gjermani kanë njoftuar pas takimit dypalësh të së mërkurës për ndërtimin e urave rreth dallimeve ekzistuese. Të Gjelbrit e Annalena Baerbockut parapëlqejnë një aleancë trepalëshe me liberalët dhe SPD-në, përderisa FDP-ja do të preferonte që dy partitë më të vogla t’i bashkojnë forcat me konservatorët e Angela Merkelit

Të Gjelbrit e Gjermanisë kanë njoftuar të mërkurën se kanë pasur një raund të mirë bisedimesh me Demokratët e Lirë liberalë (FDP) dhe se planifikojnë që të mbajnë një tjetër takim, megjithëse dy partitë përcaktuese të fatit të kancelarit të ardhshëm kanë pasur mospajtime lidhur me atë se cilit partner të madh t’i bashkohet në koalicionin e ri qeverisës.

Mesazhi optimist nga Annalena Baerbock e të Gjelbërve është dhënë pas publikimit të një “selfie” të buzëqeshur të liderëve të FDP-së dhe të Gjelbërve në takimin fillestar të së martës vonë.

Të Gjelbrit dhe FDP-ja, të cilët i përkasin spektrit të kundërt politik dhe kanë dallime për një mori çështjesh, janë vënë në qendër të vëmendjes pasi Sociademokratët (SPD) dolën fitues në zgjedhjet e së dielës me një epërsi të ngushtë kundruall bllokut konservator.

Të dyja partitë e qendrës së majtë – SPD-ja dhe CDU-CSU-ja e udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel, do të kenë nevojë për partneritetin e partive që dolën të tretët, respektivisht të katërtit në zgjedhe për ta siguruar shumicën parlamentare për qeverinë e koalicionit.

Të Gjelbrit e Baerbockut parapëlqejnë një aleancë trepalëshe me liberalët dhe SPD-në, përderisa FDP-ja do të preferonte që dy partitë më të vogla t’i bashkojnë forcat me konservatorët e Merkelit.

“SPD-ja është fituesja e zgjedhjeve dhe kësisoj është me rëndësi për ne që t’i mbajmë këto bisedime tani, por do të bisedojmë me të gjitha partitë”, ka thënë Baerbock para gazetarëve. Lidhur me bisedimet e saj me FDP-në, ajo thjesht ka thënë: “Kemi pasur bisedime të mira”.

Sekretari i përgjithshëm i FDP-së, Volker Wissing, ka thënë se nuk mund të shpalosë ndonjë gjë lidhur me bisedimet me të Gjelbrit, pasi që grupi i ngushtë i pjesëmarrësve ka marrë vendim për të mbetur të heshtur. Porse ai ka shtuar se një grup më i madh njerëzish nga të dyja partitë do të takohet përsëri të premten.

Pas kësaj, FDP-ja do të zhvillojë bisedime preliminare me konservatorët gjatë së shtunës dhe me SPD-në të dielën. Ai ka refuzuar që të spekulojë lidhur me rezultatin, por ka bërë të qartë se partia e tij e parapëlqen partneritetin me bllokun CDU-CSU.

“E kemi justifikuar këtë gjë në aspektin e përmbajtjes dhe meqë përmbajtja me të cilën partitë janë prezantuar nuk ka ndryshuar, natyrisht se kjo mbetet preferenca jonë”, ka thënë Wissing para gazetarëve.

Fotografia e liderëve të të Gjelbërve, Robert Habeck dhe Baerbock, me liderin e FDP-së, Christian Lindner dhe Wissingun në një lokacion të panjohur dukej sikur e përçonte një mesazh optimist rreth gjasave për përafrimin e dy partive.

“Jemi në kërkim të të përbashkëtave dhe urave përgjatë ndasive. Dhe madje po gjejmë disa”, ka shkruar në mesazhin poshtë fotografisë. “Kohëra interesante”, vazhdonte shkrimi.

Brenda pak orësh, fotografia u bë virale dhe u kthye në objekt shakash online.

Në disa postime, fotografia është manipuluar për t’i shfaqur që të katër liderët tek mbajnë masa apo duke i mbivendosur fytyrat e politikanëve të tjerë sipër. Të tjerat kanë shfaqur katërshen në trajtën e një pop-bendi. Në njërën prej tyre, ata madje edhe e këndojnë hitin e 1979-s: “We are Family” (Jemi familje).