Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Partia Popullore e Spanjës fiton zgjedhjet, por nuk siguron shumicën e nevojshme

Pas numërimit të të gjitha votave, Partia Popullore e qendrës së djathtë ka dalë fituese në zgjedhjet e përgjithshme të Spanjës, të mbajtura të dielën.

Ajo arriti të sigurojë 136 vende nga gjithsej 350 vende në Parlament apo 47 më shumë se në zgjedhjet e kaluara. E socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez siguruan 122 vende, që shënon një rritje prej 3 ulësesh.

Edhe me mbështetjen e së djathtës ekstreme, VOX, Partia Popullore (PP), nuk ka mundësi të krijojë shumicën prej 176 ulëseve dhe të largojë nga Qeveria kryeministrin Sánchez. VOX ra në 33 vende, nga 52 sa i kishte.

Alberto Núñez Feijóo, udhëheqësi i partisë kryesore opozitare, shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme, por pa rezultatin që i nevojitej.

“Detyrimi ynë tani është të shmangim një periudhë pasigurie. Spanjollët sot i kanë besuar Partisë Popullore. Ata gjithashtu kanë thënë se të gjitha partitë politike në të gjithë Parlamentin duhet të dialogojnë. Dhe si kandidat i partisë që ka më shumë vota, mendoj se detyra ime është të hap dialogun që të mund ta udhëheq këtë dialog që në minutën e parë dhe të përpiqem të qeveris vendin tonë, duke pranuar rezultatet e fitores sonë”, ka thënë Alberto Nunez Feijoo, udhëheqës i Partisë Popullore.

E djathta e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur Sánchezin për shkak të një ligji të strukturuar keq për pëlqimin seksual, si dhe për reformat mbi abortin dhe të drejtat e transgjinorëve.

Edhe Zgjedhjet në Spanjë: Blloku i djathtë prin, por s'e arrin shumicën Botë Zgjedhjet në Spanjë: Blloku i djathtë prin, por s'e arrin shumicën

Pas gjithë kësaj fushate, socialistët e Sánchezit dhe aleatët e tij të majtë u shprehën të lumtur me rezultatin.

“Faleminderit, faleminderit të gjithë Spanjës, sepse i kemi treguar botës se jemi një demokraci e fortë dhe e pastër. Një demokraci e madhe. Ata që garantuan regresionin e të drejtave dhe lirive, kanë dështuar sot. Blloku i prapambetur i Partisë Popullore dhe Voxit është mposhtur”, është shprehur kryeministri në detyrë i Spanjës, Pedro Sánchez nga Partia Socialiste.