Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Parlamenti gjerman refuzon dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë

Ligjvënësit gjermanë kanë refuzuar të enjten mocionin e opozitës për qeverinë, që të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë, Taurus.

Refuzimi ka ardhur vetëm një ditë pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, mbrojti refuzimin e tij që të dërgojë armë të tilla në Ukrainë.

Blloku kryesor i opozitës së qendrës së djathtë ka kërkuar të vazhdojë presionin mbi këtë çështje dhe të shfrytëzojë ndarjet në koalicionin jopopullor trepartiak të Scholzit.

Të mërkurën, Scholzi u ka thënë ligjvënësve se maturia është virtyt dhe hodhi poshtë sugjerimet se nuk i beson Kievit, raportoi AP.

Bundestagu hodhi poshtë mocionin e bllokut të opozitës "Bashkimi", me 495 vota kundër, 190 pro dhe pesë abstenime.

Gjermania është bërë furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara. Raketat Taurus kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra dhe teorikisht mund të përdoren kundër objektivave larg në territorin rus.