Botë

Parisi i shokuar nga vrasja e 12-vjeçares, trupi i së cilës u gjet në një kuti

Parisianët kanë mbetur të shokuar nga vrasja e një 12-vjeçareje, trupi i së cilës është gjetur në një kuti të premten, në oborr të ndërtesës ku ajo banonte.

Vajza e quajtur Lola, kishte kaluar një ditë normale në shkollë. Babai i saj ngriti shqetësimin kur ajo një ditë nuk u kthye në shtëpi pas shkollës, raportoi BBC-ja të martën.

Mirëpo më vonë në mbrëmje, u gjet një kuti plastike transparente e cila mbante brenda trupin e saj.

Babai i saj është i punësuar si portier në bllokun rezidencial. Trupi i Lolës është gjetur i shtypur brenda kutisë, i mbështjellë nga një material.

Duart dhe këmbët e saj ishin të lidhura derisa sipas autoriteteve ajo kishte një plagë në qafë, megjithëse autopsia këtë fundjavë zbuloi se ajo ka vdekur nga asfiksia.

Të shtunën në mëngjes, policia franceze arrestoi të dyshuarën kryesore për vrasjen e 12-vjeçares, një grua 24-vjeçare, e lindur në Algjeri, e prezantuar në media si Dahbia B.

Gruaja është identifikuar nga kamerat e sigurisë të ndërtesës së banimit, ku nga pamjet shihet se ajo hyn në derën kryesore të ndërtesës, të premten pasdite, në shoqërinë e Lolës.

Më vonë ajo u pa duke u larguar nga ndërtesa duke tërhequr një kontejner dhe më pas duke vepruar në mënyrë jokoherente në rrugë.

Në paraburgim është edhe një 43-vjeçar, i cili besohet se ka transportuar me traget Dahbia B.

Policia ka nisur hetimet për veprën “vrasje e një personi nën 15 vjeç, shoqëruar me akte torture dhe barbarie”.

Në shkollën e Lolës, fëmijët dhe prindërit ishin dukshëm të shqetësuar të hënën në mëngjes. Shkolla u vizitua nga ministri i Arsimit, Pap Ndiaye dhe kryebashkiaku i Parisit, Anne Hidalgo derisa edhe ekipe të mbështetjes psikologjike janë dërguar për të ngushëlluar nxënësit.