Disa analistë të jashtëm thonë se prania e dukshme e Al-Zawahrit në qendër të Kabulit sugjeron se grupet ekstremiste janë më të rehatshme që veprojnë në Afganistan – dhe se do të jetë më e vështirë për t'iu kundërvënë grupit të Shtetit Islamik ndërsa zgjerohet në të gjithë vendin
Zyrtarët e Inteligjencës amerikane parashikuan dy vjet më parë se grupi i Shtetit Islamik ka të ngjarë të rifitojë pjesën më të madhe të fuqisë së tij të mëparshme dhe ndikimit global, veçanërisht nëse forcat amerikane dhe të tjera perëndimore reduktojnë rolin e tyre në luftën kundër lëvizjes ekstremiste, sipas një raporti të sapodeklasifikuar
Analistët thanë se shumë nga gjykimet në raportin e vitit 2020 duken të parashikueshme sot, veçanërisht pasi grupi po ringjallet në Afganistan pas tërheqjes së forcave amerikane nga presidenti Joe Biden vitin e kaluar.
Grupi Shteti Islamik nuk po kontrollon më zona të mëdha territori ose nuk po organizon sulme në Shtetet e Bashkuara, siç bëri disa vjet më parë përpara një ofensive të madhe të udhëhequr nga SHBA-ja. Por tani po rindërton ngadalë disa aftësi thelbësore në Irak dhe Siri dhe po lufton gjithnjë e më shumë qeveritë lokale në vende duke përfshirë Afganistanin, ku një degë e grupit të Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu me akronimin ISIS, po lufton talibanët në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së.
"Nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë tërhiqen më tej nga zonat ku ISIS është aktiv, trajektorja e grupit do të varet gjithnjë e më shumë nga vullneti dhe aftësia e qeverive lokale për të mbushur boshllëqet e sigurisë që rezultojnë", thotë raporti, i publikuar fillimisht në formë të klasifikuar në maj të vitit 2020, muaj pasi administrata e atëhershme e presidentit, Donald Trump, arriti një marrëveshje me talebanët për të tërhequr trupat amerikane.
Eliminimi i liderëve
Biden dhe zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare kanë përmendur sulmin e fundit që vrau kreun e “Al-Qaidas”, Ayman al-Zawahri, si dëshmi se Amerika mban një kapacitet "mbi horizont" kundër terrorizmit në Afganistan pas tërheqjes. Forcat speciale amerikane vranë gjithashtu kreun e grupit të Shtetit Islamik në një bastisje të shkurtit në veriperëndim të Sirisë.
“Fakti i këtyre operacioneve, mendoj, reflekton se sa serioz mbetet ky mjedis kërcënimi”, tha Christy Abizaid, drejtore e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, të enjten. Por ajo shtoi se analistët besojnë se kërcënimi terrorist ndaj atdheut të SHBA-së është "më pak i mprehtë nga sa e kemi parë" në çdo kohë që nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.
Analistët kanë parë kohët e fundit rritje në degët e grupit të ISIS-it në mbarë botën, veçanërisht në Afrikë, tha Abizaid, i cili foli në Samitin e Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare jashtë Uashingtonit.
"Afganistani është një histori vërtet interesante në ato linja se ku është dega e ISIS-it dhe si ne vazhdojmë të shqetësohemi për të", tha ajo.
Disa analistë të jashtëm thonë se prania e dukshme e Al-Zawahrit në qendër të Kabulit sugjeron se grupet ekstremiste janë më të rehatshme që veprojnë në Afganistan – dhe se do të jetë më e vështirë për t'iu kundërvënë grupit të Shtetit Islamik ndërsa zgjerohet në të gjithë vendin.
Bruce Hoffman, bashkëpunëtor i lartë për antiterrorizmin në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë me qendër në Uashington, e quajti raportin e majit të vitit 2020 "shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë".
“Është shumë ndryshe operimi kundër ISIS-it në zonat e izoluara malore ose luginat e thella të Afganistanit”, tha ai. “Përparësitë që na mundësuan të largonim në mënyrë kaq të shkëlqyer al-Zawahrin mendoj se mungojnë jashtë Kabulit”.
Shembja e Al-Qaidas
Ndërsa Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar publikoi pika të deklasifikuara nga një vlerësim i inteligjencës duke thënë se “Al-Qaida” nuk ishte rigrupuar në Afganistan, pikat nuk i drejtoheshin Shtetit Islamik në Khorasan, degës lokale të grupit ISIS. ISIS-K ishte përgjegjës për vrasjen e 13 trupave amerikane jashtë aeroportit të Kabulit gjatë tërheqjes dhe ka vazhduar të zhvillojë një kryengritje kundër talebanëve që tani kontrollojnë vendin.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se SHBA-ja po punon për të mohuar “qasjen e ISIS-K në financim, për të penguar luftëtarët e huaj terroristë që të arrijnë në Afganistan dhe rajon dhe të kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm të ISIS-K”.
Raporti i majit i vitit 2020 u deklasifikua këtë gusht dhe u publikua në internet javën e kaluar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së. ODNI periodikisht deklasifikon dhe publikon vlerësime më të vjetra të inteligjencës. Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Kundër Terrorizmit të ODNI-së nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve në lidhje me vlerësimin ose të adresojë pikëpamjen aktuale të komunitetit të inteligjencës për grupin Shteti Islamik.
Raporti parashikon se degët globale të Shtetit Islamik ka të ngjarë të rrisin "aftësinë e tij për të kryer sulme në shumë rajone të botës, duke përfshirë Perëndimin". SHBA-ja ka më shumë të ngjarë të përballet me sulme nga njerëz të frymëzuar nga ideologjia e grupit sesa komplote të drejtuara ose të mbështetura nga grupi, thuhet në raport.
Presioni nga qeveritë lokale ku grupi ISIS është aktiv dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë "pothuajse me siguri do të formësojnë shkallën e ringjalljes së ISIS-it në Irak dhe Siri dhe zgjerimin e tij në mbarë botën", thuhet në raport.
Ekspertët zakonisht pajtohen me parashikimet e raportit, tha Colin Clarke, një ekspert për antiterrorizmin, i cili është drejtor i kërkimit për The Soufan Group, një konsulencë e inteligjencës dhe sigurisë. Por analistët e lartë të inteligjencës do të ishin përfshirë në hartimin dhe rishikimin e vlerësimit, i njohur zyrtarisht si një vlerësim kombëtar i inteligjencës, tha ai.
Clarke vuri në dukje disa sulme të fundit të lidhura me ISIS-in në Afganistan, duke përfshirë një sulm të dukshëm vetëvrasës jashtë ambasadës ruse në Kabul që vrau dy diplomatë, si dhe luftime të vazhdueshme midis militantëve dhe forcave të mbështetura nga SHBA-ja në një kamp të gjerë në Siri.
"Ka disa gjëra që kanë ndodhur në javët e fundit", tha ai, "që ju bëjnë të pyesni veten nëse situata nuk është më e rëndë sesa po paraqitet".
Përktheu: Forca Jashari