Ushtria refuzon ta pranojë se e ka pushtuar Gazën, duke iu referuar aktiviteteve të saj si “inkursion” dhe “operacion”. Kjo pasqyron atë që është situatë e rrjedhshme pasi numri i trupave luhatet dhe, për momentin, të paktën, Izraeli shmang përpjekjet për ta mposhtur Hamasin me numër të jashtëzakonshëm trupash tokësore
Gjatë pesë ditëve të fundit trupat tokësore izraelite janë futur gjithnjë e më shumë në qendër të Gazës, në luftën e tyre kundër Hamasit, e nisur si përgjigje ndaj sulmit të përgjakshëm ndërkufitar të 7 tetorit nga grupi militant islamik.
Një grup njësish në rritje, përfshirë edhe forcat detare, ajrore dhe tokësore, u janë bashkuar përpjekjeve. Ushtria ka njoftuar se ka vrarë shumë militantë dhe ka dëmtuar rrjetin strategjik të tuneleve të Hamasit. Ushtarët kanë marrë nën kontroll shtëpitë e braktisura palestineze për të vendosur pozicione.
Megjithatë, ndonëse operacioni zgjerohet çdo ditë, ushtria refuzon ta quajë atë pushtim. Zgjedhja e saj e paqartë e fjalëve është më shumë se një çështje semantike. Duket se është një strategji e qëllimshme që synon ta mbajë armikun jashtë ekuilibrit dhe të ruajë opsionet e tij gjersa shpaloset një luftë e gjatë.
A quhet pushtim?
Në kuptimin klasik të fjalës, një pushtim izraelit duket se është duke u zhvilluar.
Edhe
Ushtria izraelite do të thërrasë deri në 50,000 rezervistë për ofensivën e re në Gazë

Forcat tokësore kanë lëvizur në territorin e armikut dhe kanë operuar vazhdimisht që nga e premtja e kaluar. Ndërkohë që ushtria ka dhënë pak specifika rreth operacioneve, ajo ka pranuar se tanket, artileria, këmbësoria, buldozerët dhe forcat speciale kanë marrë pjesë, të gjitha të mbështetura nga mbështetja ajrore.
Ushtria ka qenë e paqartë për vendndodhjen ose madhësinë e forcave të saj. Por njoftimet e saj tregojnë se mijëra trupa u janë bashkuar përpjekjeve, me ata numra që duket se rriten nga dita në ditë.
Palestinezët kanë përdorur një gjuhë shumë më të fortë, duke iu referuar bombardimeve të vazhdueshme të Izraelit me terma si “masakër” dhe “gjenocid”. Ofensiva e vazhdueshme ka vrarë mbi 8 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, dhe ka shndërruar mijëra ndërtesa në rrënoja.
Si e cilëson ushtria?
Ushtria refuzon ta pranojë se e ka pushtuar Gazën, duke iu referuar aktiviteteve të saj si “inkursion” dhe “operacion”. Kjo pasqyron atë që është situatë e rrjedhshme pasi numri i trupave luhatet dhe, për momentin, të paktën, Izraeli shmang përpjekjet për ta mposhtur Hamasin me numër të jashtëzakonshëm trupash tokësore.
Këto taktika duket se synojnë ta ngatërrojnë Hamasin dhe të lënë të hapura opsionet për veprime të mëtejshme. Megjithatë, Izraeli e ka bërë të qartë se do të jetë i pranishëm brenda Gazës për një kohë të gjatë.
Gjatë fundjavës, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu thanë se operacioni kishte kaluar në një fazë të re.
Edhe
Izraeli pushtoi më shumë territor nga fqinjët nga 2023-ta, sesa që okupoi për dekada
“Ne kemi arritur një fazë të re në luftë”, ka theksuar Gallant. “Toka në Gaza po dridhet. Operacioni do të vazhdojë deri në një urdhër të ri”.
“Ne po vendosim forca në një shkallë të gjerë në Gaza”, ka shtuar Gallant kur vizitoi trupat të martën.
Çka është në plan?
Izraeli ka vendosur dy objektiva: kthimin e të gjitha pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit, grup militant i armatosur me mijëra luftëtarë, raketa, bomba, raketa antitank dhe mbështetje të konsiderueshme publike.
Zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit, admirali Daniel Hagari, i referohet vazhdimisht planit metodik për të arritur këto qëllime, ani pse ai nuk e quan atë pushtim. “Operacionet tona sulmuese do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen sipas planit”, ka bërë të ditur ai të martën.
Amir Avivi, gjeneral në pension dhe ish-zëvendëskomandant i divizionit ushtarak të Gazës, thotë se terminologjia e paqartë është e qëllimshme. “Ata nuk duan që armiku të dijë se çfarë po bëjnë”, ka treguar ai.
Por Avivi, i cili tani kryeson Forumin e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Izraelit, grup ish-komandantësh ushtarakë agresorë, ka thënë se është e qartë se çfarë do të nevojitet për t’i arritur objektivat.
Edhe
Izraeli kryen sulme të reja në Gazë, sfidon armëpushimin
“Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë. Ata do të duhet të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës dhe të shpenzojnë shumë muaj për t’i çmontuar të gjitha kapacitetet”, ka sqaruar ai. “Ç ‘rëndësi ka se çfarë thotë ushtria?”.
Përktheu: Blerta Haxhiu