Papa Françesku ka shkarkuar të martën të gjithë udhëheqjen e krahut ndërkombëtar të bamirësisë së Kishës Katolike Romake dhe ka emëruar një komisioner për ta drejtuar atë, pas akuzave për ngacmim dhe keqtrajtim të punonjësve, shkroi të martën “Euronews”.
Vendimi i papritur i Papës është njoftuar në një dekret, ku përfshiheshin krerët e Caritas Internationalis (CI), konfederatë me bazë në Vatikan, e përbërë nga 162 organizata katolike të ndihmës, zhvillimit dhe shërbimeve sociale që punojnë në mbi 200 vende me më shumë se një milion staf dhe vullnetarë.
Në mesin e të shkarkuarve është prefekti filipinas Luis Antonio Tagle, i cili shpesh supozohet të jetë Papa i ardhshëm. Tagle do të mbetet në një rol tjetër për të ndihmuar komisionerin në mbajtjen e marrëdhënieve me zyrat kombëtare të Caritasit dhe përgatitjen për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në vitin 2023.
Një deklaratë e veçantë nga departamenti i zhvillimit të Vatikanit që mbikëqyr CI-në zbuloi se selia e bamirësisë ishte e dëmtuar nga praktikat e dobëta menaxheriale dhe një atmosferë toksike.
"Nuk u shfaq asnjë provë për keqmenaxhim financiar ose parregullsi seksuale, por tema të tjera të rëndësishme dhe fusha për vëmendje urgjente", thuhet në deklaratë.