Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Papa Françesku: Armatosja e Ukrainës e sanksionet ndaj Rusisë s’janë zgjidhje

Papa Françesku ka bërë të enjten kritika të ashpra ndaj shteteve, të cilat po i shtojnë shpenzimet ushtarake për t’i ndihmuar Ukrainës, duke i quajtur veprimet e tilla “çmenduri”.

Duke folur para një audience në Qendrën italiane të Grave në Romë, Papa e ka quajtur turpëruese luftën në Ukrainë, e cila sipas tij po shkon mbi "logjikën e vjetër të pushtetit që ende dominon të ashtuquajturën gjeopolitikë", raportoi CNN.

Ai ka thënë se sanksionet ndaj Rusisë dhe armatimi i vazhdueshëm i Ukrainës nuk janë zgjidhje për konfliktin, derisa ka shtuar se bota duhet ta ridizajnojë mënyrën që ka zgjedhur për ta drejtuar atë.

“Tani është e qartë se politika e mirë nuk mund të vijë nga kultura e pushtetit e kuptuar si dominim dhe shtypje, por vetëm nga një kulturë e kujdesit, kujdesit për personin dhe dinjitetin e tij, dhe kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët. Përgjigja e vërtetë nuk janë armët e tjera, sanksionet e tjera, aleanca të tjera politiko-ushtarake, por një qasje tjetër, një mënyrë tjetër e qeverisjes së botës tashmë të globalizuar - duke mos treguar dhëmbët, si tani”, ka deklaruar Papa.

Më 24 shkurt ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Qindra civilë, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë, kanë vdekur deri tani si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme të forcave ruse mbi disa qytete të Ukrainës.