Njerëzve të Pakistanit u është kërkuar të pinë më pak çaj për të mbajtur ekonominë në këmbë. Importuesi më i madh në botë i çajit po përballet me inflacion në rritje, ndërsa monedha e tyre rupi po zhvlerësohet me shpejtësi, shkruan CNN.
Ministri Federal i Planifikimit dhe Zhvillimit të vendit, Ahsan Iqbal, u tha gazetarëve se pakistanezët mund të reduktojnë konsumin e çajit me "një ose dy filxhanë" në ditë, pasi importet po ngarkojnë qeverinë.
"Çaji që ne importojmë importohet duke marrë kredi", ka thënë Iqbal, duke shtuar se bizneset duhet gjithashtu të mbyllen më herët për të kursyer energjinë elektrike.
Kombi i Azisë Jugore prej 220 milionë banorësh është importuesi më i madh në botë i çajit. Në vitin 2020, ata shpenzuan 640 milionë dollarë në blerjen e çajit, sipas Observatorit të Kompleksitetit Ekonomik.
Pakistani është përballur me sfida të rënda ekonomike prej muajsh, duke çuar në një rritje të çmimeve të ushqimit, gazit dhe naftës.
Ndërkohë, rezervat e saj valutore po bien me shpejtësi. Fondet e mbajtura nga banka qendrore ranë nga 16.3 miliardë dollarë në fund të shkurtit në pak mbi 10 miliardë dollarë në maj - një rënie prej më shumë se 6 miliardë dollarësh dhe e mjaftueshme për të mbuluar koston e dy muajve të importeve të saj.
Në Pakistan, shumica e njerëzve e shfrytëzuan deklaratën e Iqbalit për t’u tallur.