Botë

Çaji po i “përvëlon” pakistanezët

Pakistanezëve u është kërkuar që të pinë sa më pak qaj që të jetë e mundur për shkak të krizës ekonomike. Pakistani është një prej importuesve më të mëdhenj të çajit në botë me qeverinë që paguan çdo vit nga 600 milionë dollarë për blerjen e çajit

Përvëlimi i çajit është punë e përditshme për Farhana Javedin.

Mirëpo çaji më i thjeshtë ka nisur të jetë goxha i shtrenjtë.

Çaji është simbol i ngritjes së madhe të çmimit në Pakistan.

“Çmimet janë shumë të larta. Dikur pinim tre çaja në ditë, por tani mezi përvëlojmë nga një çaj. Çaji dhe qumështi janë shumë shtrenjtë. Çmimet na kanë rrëzuar përtokë”, thekson Javedin.

Ministri i qeverisë së sapozgjedhur është përballur me kritika të ashpra kur ka lutur pakistanezët që të pinë sa më pak çaj.

Ministri i planifikimit, Ahsan Iqbal, kërkoi nga qytetarët që të reduktojnë konsumimin në vetëm një çaj apo dy me qëllim që të kurseheshin shpenzimet e importit të çajit.

Pakistani është një prej importuesve më të mëdhenj të çajit në botë. Qeveria ka shpenzuar hiç më pak se 600 milionë dollarë çdo vit për importin e çajit.

Një pakistanez besohet se pi së paku tre filxhanë çaj çdo ditë, pija e preferuar me kafeinë.

Kryeministri Shahbaz Sharif, i cili erdhi në pushtet në muajin prill pasi Imrah Khan u shkarkua me votë të mosbesimit, ka premtuar përmirësim të ekonomisë.

Qeveria deri më tani ka ngritur çmimin e naftës, gazit dhe energjisë elektrike për 45 për qind, por ka nxitur edhe ngritjen e madhe të çmimeve.

Pakistanezët para pak muajsh shportën e konsumit e mbushnin me 35 dollarë, ndërkaq tani nuk mjaftojnë as 60 dollarë. Pakistanezët kanë reduktuar konsumimin e ushqimit, sepse nuk kanë tjetër qare.

Qeveria pakistaneze ka thënë se po paguan çmimin e keqmenaxhimit nga qeveria e mëparshme.

Monedha pakistaneze, rupee, ka vlerën më të ulët në shkëmbim me dollarin amerikan. Sipas bankës qendrore, 206 ruppi tani vlejnë 1 dollar.

Ekspertët kanë thënë se shteti duhet të reduktojë pavarësinë nga importet për të stabilizuar vlerën e monedhës.

Ata janë të bindur se vlera e monedhës do të vazhdojë të bjerë deri sa nuk gjendet një zgjidhje për krizën.