Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pakënaqësi e madhe në Armeni për humbjen e Nagorno-Karabakhut

Policia ka arrestuar numër të madh protestuesish në Yerevan në lidhje me reagimin e Qeverisë së Armenisë ndaj luftimeve në rajonin Nagorno Karabakh. Protestuesit kanë kërkuar nga autoritetet që të mbrojnë armenët në rajonin që tashmë kontrollohet nga Azerbajxhani. Ata kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan.

Në mesin e të arrestuarve është edhe kryeopozitari Andranik Tevanyan, që i prin partisë “Nëna Armeni”. Policia ka arrestuar protestuesit që kanë tentuar të bllokonin rrugët kryesore të kryeqytetit armen.

Autoritetet kanë njoftuar se së paku 46 persona janë arrestuar në një prej protestave më të mëdha që është mbajtur në afërsi të ndërtesës qeveritare në Yerevan.

Azerbajxhani ka marrë kontrollin e Nagono-Karabakhut në ofensivën dyditore që nisi të martën. Forcat lokale armene kanë dorëzuar armët pas armëpushimit të arritur nga Rusia. Përfaqësuesit azerbajxhanas kanë nisur bisedimet e para me popullsinë armene në Karabakh me qëllim që ajo të riintegrohet si pjesë e Azerbajxhanit.