Botë

Orizi italian po digjet nga ujërat e kripur

Orizi italian

Fushat e mbjella me oriz në afërsi të lumit Po në Itali janë duke u tharë pasi po thithin ujin shumë të kripur.

Niveli i ujit që hyn në deltë nga lumi Po është më i ulëti në histori për shkak të thatësisë së shkaktuar nga bora e paktë gjatë dimrit dhe shiut të rrallë gjatë verës.

Kanë kaluar gati dy muaj kur bujqit kanë ujitur fushat me ujë të freskët.

Fushat përgjatë lumit Po janë pjesë të vogla të prodhimtarisë kombëtare të orizit në Itali.

Teksa prodhuesit e mëdhenj po vuajnë nga mungesa e ujit nëpër fushat e orizit, ata në deltën e Po-së po vuajnë nga ujërat gjithnjë e më të kripur, që janë duke tharë orizin.

Kultivuesit e orizit janë në hall me ujërat e kripur.

Kultivuesja Elisa Moretto, që ka një biznes të vogël familjar për oriz, shpreson të shpëtojë një të tretën e orizit sivjet, por nuk e di cili do të jetë fitimi, për shkak të ngritjes së çmimeve të naftës dhe plehrave artificiale.

“Nuk mund t’i përcaktoj humbjet ekonomike, sepse çmimi për fertilizuesit që përdorim është ngritur nga 40 në 120 euro për 100 kilogramë. Për shkak se sasia e orizit është e ulët, ne nuk e dimë se cili do të jetë çmimi i tregut, sepse këtu nuk ka oriz nga uji i kripur”, thotë Moretto.

Mirëpo, shqetësimet janë për të ardhmen, nëse uji bëhet edhe më i kripur dhe shkakton dëme të pariparueshme.

“Nëse kripa mbetet në tokë, rrezikojmë të humbim të korrurat e viteve të ardhshme, sepse kripa nuk zhduket, ajo djeg çfarëdo bime. Pra, përveç dëmeve afatshkurtra, ne po përballemi edhe me të ardhmen shumë të rrezikshme”.

Ekspertët kanë vlerësuar se niveli i kripës në ujërat e lumit Po është i papërshtatshëm për agrikulturë.

Ndikimi është shumë më afatgjatë, sepse ujërat e kripur kanë arritur në distanca të largëta dhe janë futur edhe në ujërat nëntokësorë.

Ministria e agrikulturës gjatë muajit korrik ka paralajmëruar se një e treta e prodhimit agrikulturor të Italisë është në rrezik nga thatësia dhe infrastruktura e dobët ujore, dhe se situata vetëm sa do të përkeqësohet gjatë viteve të ardhshme.