Ministri italian i Bujqësisë paralajmëroi Parlamentin të mërkurën, se një e treta e prodhimit bujqësor të Italisë është në rrezik për shkak të thatësirës dhe shterjes se burimeve të ujit dhe se situata vetëm sa do të përkeqësohet në vitet në vijim, raportoi AP-ja.
Ministri Stefano Patuanelli siguroi të dhënat më të fundit nga institutet kërkimore qeveritare, të cilat treguan se Italia humbi 19% të burimeve ujore në periudhën 1991-2020 dhe se dekadat e ardhshme mund të sjellin ulje të mëtejshme, deri në 40%.
"Jemi dëshmitarë të një humbjeje të ngadaltë, por të pandërprerë të disponueshmërisë së ujit në vendin tonë", i tha Patuanelli parlamentit.
Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa rajone veriore për shkak të një thatësire të zgjatur dhe valës së të nxehtit që ka tharë lumin Po, që është thelbësor për ujitje në një zonë të Italisë veri-qendrore që është prodhuesja kryesore e frutave, perimeve dhe drithërave.
Patuanelli tha se thatësira të tilla ndodhin në Itali afërsisht çdo pesë vjet, por ka paralajmëruar se ato do të ndodhin më shpesh dhe “me pasoja më të rënda”.
Ndërkohë që nxehtësia e pazakontë dhe mungesa e reshjeve janë fajtorë për krizën aktuale, Italia ka edhe shpërdorim të ujit. Agjencia kombëtare e statistikave ISTAT vlerëson se humbet 42 për qind e ujit të pijshëm çdo vit për shkak të gypave të vjetër dhe që nuk mirëmbahen.