Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Orbani dhe fryma e revoltës kundër liberalizmit

Qysh nga fillimi i pandemisë, komentuesit liberalë vazhdimisht kanë paralajmëruar për rrezikun se nacionalizmi dhe përplasjet mes fuqive të mëdha do ta shkaktojnë rrënimin e rendit ndërkombëtar politik dhe ekonomik. Por në vend të një deglobalizimi të këtillë dramatik, më e mundshme është që liderët nacionalistë përreth botës të ndërtojnë shoqëri politikisht të mbyllura që u nënshtrohen ekonomive të hapura: Një globalizim pa globalistë

Në verën e 1992-s një hungarez 29-vjeçar me ambicie politike kishte vizituar për herë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për gjashtë muaj i kishte rënë rreth e përqark vendit bashkë me një grup të rinjsh evropianë, krejt me shpenzimet e Fondit Marshall gjerman, një trup ky i përkushtuar në bashkëpunimin transatlantik.

Amerika prej kohësh kishte magjepsur Viktor Orbanin, por ai dukej i shkëputur dhe i pandikuar teksa grupi shëtiste rrugëve të Los Angelesit. Tregu i lirë dhe teknologjitë e fjalës së fundit pa dyshim se e joshnin Orbanin më shumë sesa debatet amerikane dhe zotimet për barazi, drejtësi apo të drejtat e personave me ngjyrë.

Por indiferenca e Orbanit, sipas një analize të gjatë të së përditshmes britanike “The Guardian”, karshi thirrjeve të pakicave perëndimore u bë më e dukshme gjatë vizitës në Rezervatin Indian Umatilla në Oregon. Aty Orbani dhe njëra nga koleget e tij, gazetarja polake Małgorzata Bochenek, i dëgjonin ankesat lokale për padrejtësinë ekonomike. Ama çfarë e magjepsi Orbanin më së shumti gjatë udhëtimit ishte politika.

“Vizita e grupit përfundoi në korrik, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Madison Square Garden dhe e përcolli nominimin e Bill Clitonit. Magjepsja nuk iu shua. Vizita në SHBA e riafirmoi dëshirën e tij për t’u bërë kryeministër i Hungarisë”, ka shkruar “Guardian”.

Treguesit e parë të një konservatorizmi

Edhe Kolumne 3 muaj më parë Largimi i Orbanit nga i cili mund të nxjerrin mësime liderët me synime autoritare

Më 1989, kur Orbani studioi në Universitetin e Oxfordit me bursë të fondacionit “Soros”, vlerat perëndimore ende po mbaheshin. Ishin këto vlerat që ai donte t’i sillte në vendin e tij.

Tre vjet më vonë ndryshimi ishte evident. Ndonëse tregu i lirë ishte në fuqi, kultura evropiane dhe ajo veriore amerikane kishin lëvizur drejt një moduli më introspektiv.

“Orbani e pëlqente Clintonizmin si qasje për administratën dhe ekonominë, por kishte pak interesim për diskursin perëndimor të së drejtave të njeriut, diskutimin mbi gjininë dhe racën apo trashëgimin e kolonializmit dhe Holokaustin”, shkruan gazeta.

Entuziazmi i Orbanit, ekonomia amerikane dhe indiferenca karshi qasjes kulturore amerikane ishin tregues i hershëm i drejtimit që Hungaria dhe Polonia do të merrnin në dekadat në vijim.

Në vitet ‘90, analizon gazeta, të dyja vendet i prinë Evropës lindore në shok-terapinë ekonomike, duke i shtyrë reformat e tregut bukur përtej atyre që këshilltarët perëndimorë u kërkuan. Por në aspektet kulturore, të drejtat polake dhe ato hungareze morën një shteg më konservator. Si rezultat, që të dyja vendet nisën që ta shihnin veten si thellësisht evropiane, ani pse përherë e më shumë janë larguar nga liberalizmi i stilit të BE-së.

Një dekadë pas vizitës në SHBA me Orbanin, Małgorzata Bochenek u bë këshilltare e presidentit polak Lech Kaczyński, i cili bashkë me të vëllain, Jarosław, themeluan partinë konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi. Kjo parti e gëzon sot mbështetjen e pothuajse 45- përqindëshit të elektoratit polak. Fideszi i Orbanit e komandon supershumicën prej dy të tretash në Parlamentin hungarez. Që të dyja kanë zbatuar politika të ngjashme: mbushjen e gjykatave dhe mediave me gjykatës e gazetarë proqeveritarë; dëbimin nga vendi të OJQ-ve majtiste dhe liberale, akademikëve dhe universiteteve; shkeljen e Aktit të BE-së për të Drejta Themelore me kufizimin apo ndalimin e qasjes në abort dhe mohimin e njohjes ligjore për personat transgjinorë; si dhe injorimin e përpjekjeve të institucioneve evropiane për t’i mbajtur ata përgjegjës për këto provokime, shkruan gazeta në analizë.

“Në të njëjtën kohë katër nga çdo pesë qytetarë të Polonisë dhe të Hungarisë mbështesin anëtarësinë në BE. Për antiliberalët në Budapest dhe Varshavë synim është autonomia përbrenda Evropës e jo pavarësia jashtë saj”, shkruan “Guardian”.

Kthesa prej revolucionarëve në nativistë?

Image

Ka një sërë mënyrash për të përshkruar se si revolucionarët e 1989-s u bënë nativistët e 2010-s dhe 2020-s.

Në librin e tyre të 2019-s “The Light That Failed”, eksperti bullgar i shkencave politike, Ivan Krastev dhe profesori amerikan i së drejtës, Stephen Holmes, e ngritën hipotezën e rebelimit. Argumentuan se transicioni nga komunizmi në demokraci kapitaliste qe nxitur nga “kopjimi i liberalizmit”. Sipas tyre, evropiano-lindorët iu përshtatën shprehive, normave dhe institucioneve të botës perëndimore, prosperitetin dhe liritë e të cilit duan t’i gëzojnë. Problemi, sipas Krastevit dhe Holmesit, shkruan “Guardian”, është se nënshtrimi ndaj këtij “imperativi të imituar” ishte “natyrshëm stresues” dhe “emocionalisht i vështirë”.

Edhe Rubio thotë se fitorja e Orbanit në zgjedhje është në interesin kombëtar të SHBA-së Botë 5 muaj më parë Rubio thotë se fitorja e Orbanit në zgjedhje është në interesin kombëtar të SHBA-së

Midis krejt këtyre Orbani e rindërtoi veten. Mblodhi fuqi kur ua garantoi shtetësinë më shumë se një milion hungarezëve që jetonin në Sllovaki, Rumani, Kroaci, Serbi dhe Ukrainë, duke e krijuar një shoqëri civile të prirë prej Fideszit në atë që nacionalistët hungarezë e shohin si “Hungari e Madhe”.

Me kalimin e viteve qëndrimet iu ashpërsuan, shkruan “Guardian”. Partitë në pushtet në Poloni dhe Hungari e ndoqën shtegun e asaj që e shohin si shkëputje më e përnjëmendtë nga e shkuara. Nacionalizmi antiliberal në Evropën Lindore është më shumë se shpërfaqje e pasioneve të pakontrolluara. Dhe që të dyja vendet si të përbashkët e kanë bindjen se një detyrë historike u bie mbi supet e tyre dhe se fundi i komunizmit ishte vetëm fillimi i shtegut drejt çlirimit kombëtar.

“Fakti se këto ide ishin formuar gjatë dekadës së transicionit sugjeron gjithashtu se demokracia joliberale është një synim i qëllimshëm – diçka jo vetëm reaktive, por synim i

pastër ideologjik, në vetvete”, ka analizuar gazeta.

Orbani e ndërlikoi punën edhe më fort kur lidhi afërsi me Rusinë dhe Kinën, të cilat blloku evropian së cilit i takon vazhdimisht i kritikon.

Rusia e furnizon Hungarinë me energji elektrike, derisa kapitalistët kinezë e kanë shndërruar atë në një nyjë rajonale për synimet e Huaweit që ta zgjerojë teknologjinë 5G përreth Evropës.

Budapesti është gjithashtu stacioni fundor i autostradës së re ballkanike që shtrihet nga Greqia në Beograd – si pjesë e iniciativës kineze “Rrip dhe rrugë”.

Shkëputja simbolike prej BE-së

Në mesmarsin e 2020-s, teksa koronavirusi po përhapej nëpër Evropë, Hungaria kishte mbyllur dyert për pothuajse të gjithë joshtetasit e saj. Në kohën kur Hungaria ishte në izolim, të huajt e vetëm të lejuar në vend ishin 300 inxhinierët koreano-jugorë të angazhuar në përshpejtimin e hapjes së fabrikës së dytë shtetërore për prodhimin e baterive për veturat elektrike.

Edhe Bashkëpunëtorët e Orbanit nxitojnë ta zhvendosin pasurinë nga Hungaria Botë 2 muaj më parë Bashkëpunëtorët e Orbanit nxitojnë ta zhvendosin pasurinë nga Hungaria

Konglomeratet koreane tanimë janë vendosur në Hungari dhe Poloni, duke u rreshtuar si furnizuesit kryesorë të baterive për industrinë evropiane të veturave.

“Qysh nga fillimi i pandemisë, komentuesit liberalë vazhdimisht kanë paralajmëruar për rrezikun se nacionalizmi dhe përplasjet mes fuqive të mëdha do ta shkaktojnë rrënimin e rendit ndërkombëtar politik dhe ekonomik”, ka shkruar gazeta britanike. Por në vend të një deglobalizimi të këtillë dramatik, më e mundshme është që liderët nacionalistë përreth botës të ndërtojnë shoqëri politikisht të mbyllura që u nënshtrohen ekonomive të hapura: Një globalizim pa globalistë. \ Guardian