Botë

OKB-ja miraton rezolutë: Rusia t’i kompensojë dëmet e luftës që ia shkaktoi Ukrainës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar të hënën një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet që Rusia të mbajë përgjegjësi për dëmet që i ka shkaktuar në Ukrainë, raporton Reuters.

Rezoluta e mbështetur nga 94 prej 193 anëtarëve të asamblesë, thotë se Rusia e cila pushtoi fqinjin e saj në shkurt, duhet të mbajë pasojat ligjore të të gjitha veprimeve të saj të paligjshme ndërkombëtare, duke përfshirë kompensimin për dëmet që i ka shkaktuar.

Kjo rezolutë rekomandon që shtetet anëtare, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë një regjistër ndërkombëtar për të regjistruar provat dhe pretendimet kundër Rusisë.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, por ato kanë peshë politike.

Ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, tha përpara votimit se Rusia ka shënjestruar gjithçka, nga fabrikat deri te ndërtesat e banimit dhe spitalet.

"Ukraina do të detyrohet të rindërtojë vendin dhe për t'u rikuperuar nga kjo luftë, por ajo rimëkëmbje nuk do të jetë kurrë e plotë pa një ndjenjë drejtësie për viktimat e luftës ruse. Është koha për t’i kërkuar llogari Rusisë", tha Kyslytsya.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, i tha Asamblesë së Përgjithshme përpara votimit se dispozitat e rezolutës janë ligjërisht të pavlefshme, pasi ai u kërkoi vendeve të votojnë kundër saj.

"Perëndimi po përpiqet të përkeqësojë konfliktin dhe planifikon të përdorë paratë ruse për të”, është shprehur Nebenzia.

Katërmbëdhjetë vende votuan kundër rezolutës të hënën, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin, ndërsa 73 abstenuan, përfshirë Brazilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut.