Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e njeh pretendimin e Kremlinit se do ta vinte nën kontrollin rus centralin më të madh bërthamor në Evropë, atë të Zaporizhzhias, shkruan të enjten “New York Times”.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, ka thënë të enjten se centrali bërthamor ende vazhdon të njihet si objekt ukrainas, pasi statuti i OKB-së nuk njeh aneksime të paligjshme.
"Kjo është një çështje që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare," tha ai në një konferencë shtypi.
Ai shtoi se qëllimi kryesor i IAEA-s është të parandalojë një aksident bërthamor, për të cilin ai paralajmëroi se vazhdon të jetë ende i mundshëm të ndodhë.
Grossi njoftoi se IAEA do të vazhdojë të mbajë inspektorët e saj në objekt, siç ka bërë që nga shtatori. Ai theksoi se në javët e ardhshme numri i inspektorëve do të rritet nga dy në katër.
Javën e kaluar Rusia aneksoi ilegalisht katër rajone të Ukrainës, duke përfshirë Zaporizhzhian ku është objekti.
Edhe
Goditet sërish me dron centrali bërthamor në Zaporizhzhia
Të mërkurën, Rusia tha se do të merrte kontrollin operacional të objektit, i cili u kap nga forcat ruse në mars, por ende drejtohet nga inxhinierë ukrainas.
Zyrtarët ukrainas kanë dënuar tentativën për marrjen e objektit dhe thanë se do të vazhdojnë menaxhimin e tij, megjithëse nuk dihet se si mund të zbatohej kjo strategji derisa Rusia e ka në kontroll.