Hans Kluge, shef i OBSH-së për rajonin e Evropës, ka thënë se lehtësimi i masave kufizuese në kohën e varianteve edhe më përhapëse të virusit dhe i shpërndarjes së ngadaltë të vaksinave mund të shpjerë drejt “një stuhie të përkryer në akëcilin vend... Situata si në Indi rrezikon të ndodhin kudo”
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar të enjten qeveritë evropiane se zbutja e hershme e kufizimeve kundër COVID-19 mund ta shkaktojë një spirale të re të përhapjes, duke e nxitur potencialisht një valë infektimesh të ngjashme me atë në Indi.
Hans Kluge, shef i OBSH-së për rajonin e Evropës, ka thënë se lehtësimi i masave kufizuese në kohën e varianteve edhe më përhapëse të virusit dhe i shpërndarjes së ngadaltë të vaksinave mund të shpjerë drejt “një stuhie të përkryer në akëcilin vend... Situata si në Indi rrezikon të ndodhin kudo”.
Një paralajmërim të tillë Kluge e ka bërë teksa një sërë liderësh evropianë kanë shpalosur planet gjatë kësaj jave për shfuqizimin gradual të masave të izolimit në prag të sezonit të verës, megjithëse bilanci ditor i rasteve të reja të infektimit në shumicën e vendeve vetëm sa ka nisur që të sheshohet. Ai ka thënë se derisa rastet e reja në rajon kanë rënë “theksueshëm” javën e shkuar, për të parën herë gjatë dy muajve, shkalla e infeksioneve përreth rajonit “mbetet jashtëzakonisht e lartë”.
Pothuajse gjysma e të gjitha rasteve të reja në rajon, që prej janarit të shkuar, kanë ndodhur në katër muajt e parë të këtij viti, ka theksuar ai. Por Kluge ka thënë se proceset e vaksinimit tani janë duke avancuar në rajonin evropian, teksa 16 për qind e gjithë popullatës së Kontinentit deri më tani ka marrë dozën e parë të kurave, ndërsa 7 për qind janë vaksinuar plotësisht – në atë që do të thotë se më shumë njerëz në Evropë tani janë vaksinuar sesa që janë të infektuar me virusin pandemik.
“Në ato shtete ku shkalla e vaksinimeve në mesin e grupeve më të rrezikuara është më e lartë, hospitalizimet kanë shënuar rënie, ndërsa numri i të vdekurve po bie. Vaksinat janë duke shpëtuar jetë”, ka theksuar Kluge.
Në përpjekjen për të hapur rrugën për realizimin e udhëtimeve gjatë sezonit veror, ligjvënësit evropianë kanë miratuar të enjten krijimin e një certifikate mbarevropiane për COVID-19, të kërkuar nga anëtaret jugore të bllokut si pjesë e ndihmës për ringjalljen e turizmit. Mirëpo veprimi rrezikon që të minohet nga rregullat e ndryshme të pushimeve dhe testimit nëpër shumicën e vendeve.
Fati i projektit, për të cilin vendet e varura nga turizmi – si Spanja dhe Greqia – shpresojnë se mund të ndihmojë në ringjalljen e ekonomive të tyre, varet nga negociatat e mëtutjeshme mes ligjvënësve, shteteve anëtare të BE-së, si dhe Komisionit ekzekutiv të bllokut.
Plani synon futjen në përdorim të një leje standarde për personat e vaksinuar apo që kanë rezultuar negativë në testet për koronavirus për udhëtim nëpër 27 vendet anëtare të bllokut, por procesi ndërlikohet sherri i synimeve të ndryshme të vendeve anëtare dhe qasjeve të tyre kundruall vaksinimit apo testimeve.
Dallimet mes shteteve lidhur me njohjen e testeve për antitrupa përveç atyre PCR për praninë e virusit, vështirësitë teknike në krijimin e një porte të vetme të BE-së, shqetësimet rreth diskriminimit të atyre që nuk janë vaksinuar dhe çështja e privatësisë, nënkuptojnë se gjetja e një “pike të përbashkët” për mbarë Evropën mund të jetë problematike, kanë theksuar diplomatët.