Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të martën se rastet me COVID-19 janë trefishuar përreth Evropës në gjashtë javët e fundit, duke numëruar gati gjysmën e infektimeve në të gjithë botën. Shkalla e hospitalizimeve po ashtu është dyfishuar, edhe pse pranimet në kujdesin intensiv mbeten të ulëta.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, e përshkroi koronavirusin si “sëmundje të keqe dhe vdekjeprurëse” të cilën njerëzit nuk duhet ta nënvlerësojnë. Ai tha se variantet e Omicronit kanë nxitur valë të reja të sëmundjes në kontinent dhe se infektimet e përsëritura munden të çojnë në COVID të zgjatur, raportoi AP-ja.
OBSH-ja ka thënë se 53 shtete në rajonin evropian raportuan afër 3 milionë infektime të reja javën e kaluar dhe rreth 3000 të vdekur çdo javë. Në botë, rastet me COVID-19 janë rritur gjatë pesë javëve të fundit.
“Me ngritjen e rasteve, po shohim edhe rritje të hospitalizimeve, të cilat vetëm do të ngriten më tej në vjeshtë dhe në dimër”, ka thënë Kluge.