Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën se COVID-19 nuk duhet të trajtohet si sëmundje endemike si gripi, por si pandemi, duke thënë se përhapja e variantit Omicron ende nuk është stabilizuar.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të hënën se mund të jetë koha për të ndryshuar mënyrën se si gjurmohet evoluimi i COVID-19, pastaj për të përdorur në vend të kësaj një metodë të ngjashme me atë se si pason gripi, pasi sipas tij, vdekshmëria ka rënë.
Kjo do të nënkuptonte trajtimin e virusit si një “sëmundje endemike” në vend të një pandemie.
“Ne kemi ende një sasi të madhe të pasigurisë dhe një virus që po evoluon mjaft shpejtë, duke imponuar sfida të reja. Sigurisht që nuk jemi në pikën ku mund ta quajmë endemike”, ka thënë shefja e lartë e urgjencës së OBSH-së për Evropën, Catherine Smallwood në një konferencë shtypi.
Në Evropë janë raportuar më shumë se 7 milionë raste të reja në javën e parë të vitit 2022, e pastaj më shumë se dyfishi në periudhën dyjavore, tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge në një konferencë shtypi.
Edhe
OBSH-ja e shqetësuar për vaksinim të ulët, përderisa rastet me Covid e grip po rriten
“Me këtë ritëm, Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit parashikon që më shumë se 50% e popullsisë në rajon do të infektohet me Omicron në 6-8 javët e ardhshme," tha Kluge, duke iu referuar një qendre kërkimore në Universitetin e Uashington.
Pesëdhjetë nga 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë regjistruar raste të variantit më infektiv, tha Kluge.