Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se rastet me kolerë janë rritur globalisht gjatë vitit të kaluar teksa janë regjistruar 4 mijë vdekje dhe 667 mijë raste.
OBSH-ja ka krahasuar shifrat me vitin 2022 duke klasifikuar rishfaqjen globale të kolerës si emergjencë të shkallës së tretë apo niveli më i lartë i emergjencës shëndetësore.
Shpërthimet ishin më vdekjeprurëse në Malavi dhe Haiti, ku numri i vdekjeve arriti respektivisht në 1,771 dhe 1,156, duke e bërë atë shpërthimin më të keq në historinë e Malavi, shkruan TheGuardian.
“Përqindja e paprecedentë e rasteve dhe vdekjeve është e tmerrshme dhe dërrmuese për sistemet shëndetësore të këtyre vendeve. Përhapja po kalon në një krizë të pakontrollueshme shëndetësore”, tha Machinda Marongwe, drejtoresha e programit të Oxfam në Afrikën Jugore.
Marongwe, mes tjerash, tha se qeveritë dhe agjencitë në rajon kanë nevojë për financim të menjëhershëm për të zbatuar me shpejtësi aktivitetet dhe projektet që do të ndihmonin në përmirësimin e higjienës së njerëzve dhe qasjen në ujë të pastër, pasi këta dy faktorë janë kyçe në luftën kundër përhapjes se kolerës.
Edhe
Vlerësohet “alarmante” situata me përhapjen e Ebolës në Kongo
Të paktën 30 vende të tjera kanë raportuar raste që nga fillimi i vitit 2024. Zambia raportoi 7500 raste të reja që nga tetori dhe pa 500 raste të reja dhe 17 vdekje në vetëm 24 orë këtë javë. Presidenti i Zambisë, Hakainde Hichilema, u ka kërkuar qytetarëve të lëvizin jashtë qyteteve dhe të kthehen në zonat rurale pasi shkollat mbeten të mbyllura për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Kolera është një sëmundje bakteriale e cila përhapet përmes ujit dhe ushqimit të kontaminuar dhe shkakton diarre dhe të vjella të shumta.