Më të prekurit janë Lilongwe dhe Blantyre, qendër ekonomike në jug të vendit. Shumë vende publike si tregjet me shumë qarkullim nuk kanë ujë rubineti, teksa njerëzit detyrohen të gërmojnë puse në shtëpi ose të nxjerrin ujë nga burime të pasigurta si lumenjtë dhe përrenjtë, faktorë që kontribuojnë në shpërthimet e kolerës
Shpërthimi më i keq i kolerës që ka prekur Malawin në dy dekada tani ka marrë 750 jetë, ka bërë të ditur një ministër i qeverisë, teksa shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka përshkruar vendin e Afrikës Juglindore si ndër më të goditurit mes epidemive globale të vazhdueshme që janë “më të përhapura dhe vdekjeprurëse se normale”.
Ministrja e Shëndetësisë e Malawisë, Khumbize Kandodo Chiponda, ka urdhëruar mbylljen e shumë bizneseve të cilave u mungon uji i pastër, tualetet dhe objektet higjienike të hedhjes së mbeturinave dhe njoftoi kufizime në shitjen e ushqimit të gatuar paraprakisht.
“Ne vazhdojmë të regjistrojmë një numër në rritje të rasteve në të gjithë vendin, pavarësisht shenjave të transmetimit të reduktuar dhe vdekjeve në disa zona”, ka theksuar Chiponda në një deklaratë dhe kërkoi respektimin e masave sanitare dhe higjienike.
Të mërkurën, Chiponda ka njoftuar se 17 njerëz kishin vdekur nga 589 raste të reja të sëmundjes së ujit “në 24 orët e fundit”. Ajo ka thënë se vendi ka regjistruar 22.759 raste që nga fillimi i shpërthimit në mars të vitit të kaluar.
Shifrat tregojnë se rreth 15 persona kanë vdekur çdo ditë ditët e fundit, me 155 vdekje të regjistruara në 10 ditët e fundit. Gati 1 mijë njerëz u shtruan në spital që nga e mërkura.
Këtë javë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka njoftuar se 31 vende kanë raportuar shpërthime të kolerës që nga dhjetori, një rritje prej 50% krahasuar me vitet e mëparshme.
“Teksa ne kemi pasur shpërthime të mëdha kolere më parë, nuk kemi parë një numër kaq të madh shpërthimesh të njëkohshme”, ka theksuar Tedros duke shtuar se Malawi, së bashku me Haitin dhe Sirinë, janë ndër vendet më të prekura.
Vitin e kaluar, OBSH-ja dhe partnerët e saj kaluan në një dozë të vetme të vaksinës standarde të kolerës në vend të dy dozave të zakonshme, për shkak të problemeve të furnizimit.
“Prodhimi është aktualisht në kapacitetin maksimal dhe pavarësisht këtij vendimi të paprecedentë, stoku mbetet shumë i ulët”, ka treguar Tedros, duke shtuar se katër vende të tjera kanë kërkuar vaksina në javët e fundit.
OBSH-ja ka fajësuar më parë për rritjen e paprecedentë globale të kolerës, krizat komplekse humanitare në vendet me sisteme të brishta shëndetësore që po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike. Temperaturat e ngrohta dhe rritja e shirave e bëjnë më të lehtë për bakteret që shkaktojnë kolerën të shumohen dhe përhapen.
Drejtori i CDC-së së Afrikës, Ahmed Ogwell Ouma, u ka thënë gazetarëve gjatë një konference javore në internet se 14 vende afrikane po raportojnë raste të kolerës, shumë prej të cilave janë për shkak të përmbytjeve në të gjithë kontinentin. Një pjesë e konsiderueshme e 1.3 miliardë njerëzve të kontinentit nuk kanë qasje në ujë të sigurt, kanalizime dhe higjienë të mirë.
Ouma ka bërë të ditur se 393 vdekje nga pak më shumë se 4 mijë raste të reja u raportuan gjatë javës së kaluar në Afrikë, ku Malawi është epiqendra e shpërthimit.
Vendi me rreth 20 milionë banorë ka regjistruar 71% të rasteve dhe 88% të vdekjeve javën e kaluar, ka treguar Ouma.
Në kryeqytetin, Lilongwe, disa njerëz fajësuan mungesën e shërbimeve bazë si uji i sigurt dhe kanalizimet për shpërthimin.
“Unë haja dhe pija në treg pa larë duart. Nuk isha i kujdesshëm, por gjithashtu nuk ka ujë në këto vende”, ka theksuar 24-vjeçari Kondwani Malizani, mekanik motorik nga qyteti i mbushur me njerëz Ngwenya në Lilongwe. Ai tha se ishte shtruar në spital me kolerë javën e kaluar.
Mst: Përhapja e madhe
Më të prekurit janë Lilongwe dhe Blantyre, qendër ekonomike në jug të vendit. Shumë vende publike si tregjet me shumë qarkullim nuk kanë ujë rubineti, teksa njerëzit detyrohen të gërmojnë puse në shtëpi ose të nxjerrin ujë nga burime të pasigurta si lumenjtë dhe përrenjtë - faktorë që kontribuojnë në shpërthimet e kolerës.
Epidemiologu, Adamson Muula ka thënë për AP-në se shpërthimi po prek “të varfrit” të cilëve u mungon qasja në ujë të sigurt dhe kanalizime.
“Njerëzit që kanë insekte që hanë drurin, ujë të pijshëm nga çezmat në shtëpi dhe ata që durojnë duke mos ngrënë nga vende të dyshimta jashtë, në thelb nuk janë në rrezik”, ka thënë Muula, ligjërues në Universitetin e Shkencave Shëndetësore Kamuzu në Blantyre. Ai fajësoi elitat në pushtet për dështimin për të investuar në infrastrukturë.
“Njerëzit që nuk shërbehen nga ujësjellësi komunal. Njerëzit që pinë nga burimet e hapura të ujit dhe ata që jetojnë në komunitete ku kompanitë e ndryshme të ujit mund të dështojnë të sigurojnë ujë rubineti për ditë të tëra janë ata që preken”, ka shpjeguar Muula. “Një sëmundje e tillë bëhet e vështirë për t'u kontrolluar pasi borgjezët nuk ndihen të shqetësuar”.
Ministrja e Shëndetësisë, Chiponda ka njoftuar për një ndalim të shitjes së ushqimeve të gatuara paraprakisht përgjatë rrugëve, në tregjet lokale, depot e autobusëve dhe oborret e shkollave. Ajo urdhëroi gjithashtu mbylljen e të gjitha objekteve të marketingut, transportit dhe udhëtimit, sportive, fetare dhe argëtuese që nuk kanë ujë të sigurt, tualete funksionale dhe ambiente “të organizuara dhe higjienike” të depozitimit të mbeturinave.
Ajo ka treguar gjithashtu se qeveria ka në plan të zgjerojë rrjetin e tubacioneve të ujit si dhe të dërgojë ujë duke përdorur kamionë për njerëzit që jetojnë në lagjet e varfra në Lilongwe dhe Blantyre. Shkollat në dy zonat hapja e të cilave u vonua në fillim të janarit do të rihapen më 17 janar. Kjo ndodh pasi qeveria u zotua të sigurojë ujë të pijshëm të sigurt dhe të rilidhë ujin me tubacione që ishte ndërprerë në disa shkolla në Lilongwe dhe Blantyre.
Vendi këtë javë u lut për donacione të shtretërve të kolerës, tendave, kova uji, kripëra rihidratimi, furnizime mjekësore dhe para.
Në nëntor, OBSH-ja dhe partnerët dërguan në Malawi afro 3 milionë vaksina kundër kolerës. Kolera është sëmundje akute diarreike e përhapur përmes ujit dhe ushqimit të kontaminuar që mund të shkaktojë dehidrim të rëndë. Është sëmundje bakteriale që prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Nëse nuk trajtohet, deri në 30% të rasteve të kolerës mund të jenë fatale dhe në raste ekstreme, sëmundja mund të vrasë brenda disa orësh.
Përktheu: Blerta Haxhiu