Miliona njerëz janë prekur nga reshjet e dendura të shiut në Sri Lanka dhe pjesë të mëdha të Sumatras në Indonezi, në jug të Tajlandës dhe në veri të Malajzisë. Sri Lanka dhe Indonezia kanë dislokuar personel ushtarak për t’i ndihmuar viktimat nga përmbytjet që kanë vrarë më shumë se 1.100 persona në katër vende të Azisë.
Në Indonezi, të paktën 604 persona kanë humbur jetën dhe 464 rezultojnë të zhdukur, sipas agjencisë kombëtare të fatkeqësive. Numri i viktimave në Sri Lanka qëndron në 366 të vdekur dhe 366 të zhdukur, ndërsa 176 kanë vdekur në Tajlandë. Tre vdekje janë raportuar në Malajzi, raporton The Guardian.
Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, tha gjatë një vizite në krahinën e Sumatrës së Veriut të hënën se “më e keqja ka kaluar, shpresojmë”, duke shtuar se qeveria po përqendrohet në ofrimin e ndihmës.
Tre anije luftarake dhe dy anije me staf shëndetësor, si dhe avionë, janë dërguar për të çuar ndihma në zonat më të prekura, ku përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga rrugë të bllokuara, ura të shembura dhe ndërprerje të linjave të komunikimit.
Përmbytjet janë ngjarja më vdekjeprurëse në Indonezi që nga tërmeti dhe cunami i vitit 2018 që vrau më shumë se 2,000 njerëz në Sulawesi.
Ato kanë përmbytur shtëpi, kanë shkatërruar fusha bujqësore dhe kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në gjithë rajonin, megjithëse shkalla e vërtetë e dëmeve ende nuk është bërë e qartë.
Sri Lanka ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare pas Ciklonit Ditwah, i cili detyroi 148,000 njerëz të evakuoheshin drejt strehimove të përkohshme.
Presidenti i Sri Lankës, Anura Kumara Dissanayake, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar fatkeqësinë, u zotua të rindërtojë vendin.
“Ne po përballemi me fatkeqësinë natyrore më të madhe dhe më sfiduese në historinë tonë. Padiskutim, do të ndërtojmë një komb më të mirë se ai që ekzistonte më parë”, tha ai.
Humbjet dhe dëmet janë më të këqijat në Sri Lanka që nga cunami shkatërrues i Azisë në vitin 2004, që vrau rreth 31,000 njerëz dhe la më shumë se 1 milion të pastrehë.
Helikopterë ushtarakë janë shfrytëzuar për të transportuar njerëzit e bllokuar dhe për të shpërndarë ushqime, megjithëse një prej tyre u rrëzua në veri të Kolombos të dielën në mbrëmje.
Ndërkohë në Tajlandë, zëvendëskryeministri Thamanat Prompow vizitoi Hat Yai, një nga zonat më të prekura, të hënën. Ai tha se autoritetet provinciale të ujit dhe energjisë ishin urdhëruar të rivendosin shërbimet menjëherë.
Media lokale raportoi se 80% e njerëzve në Hat Yai ishin kthyer në shtëpitë e tyre nga qendrat e evakuimit për të parë dëmet, ndërsa operacionet e rikuperimit dhe pastrimit ishin në proces.
Sezoni i musonit në rajon shpesh sjell reshje të mëdha që mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu dhe përmbytje të befasishme, por përmbytjet e fundit në Azinë Juglindore janë përkeqësuar nga një stuhi tropikale e rrallë e formuar në ngushticën e Malakës.
Përveç shkatërrimeve, stuhia ka ndërprerë arsimin, duke lënë dhjetëra mijëra fëmijë jashtë shkollave në Indonezi dhe Tajlandë, sipas organizatës ndërkombëtare Save the Children.
Organizata tha se të paktën 1,000 shkolla janë dëmtuar dhe mbyllur në Sumatra, Indonezi. Mësimi është pezulluar pasi disa shkolla po përdoren si strehimore emergjente.