Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të paktën 93 mijë persona në nevojë urgjente pas përmbytjeve në kufirin Nepal-Tibet

Nepal

Kryqi i Kuq ka bërë të ditur se të paktën 93 mijë persona mund të jenë prekur nga përmbytjet e fuqishme që goditën të mërkurën zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit. Fatkeqësia ka shkaktuar më shumë se 540 viktima, ndërsa rreth 1.900 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë në përmasa të mëdha, por po pengohen nga frika e përmbytjeve të reja dhe nga vështirësitë për të arritur në disa prej zonave më të goditura. Rrugët dhe urat janë shkatërruar nga rrjedhat e fuqishme të ujit, duke izoluar komunitete të tëra.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), rrjeti më i madh humanitar në botë, ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi disa prej zonave më të prekura mbeten ende të paarritshme.

“Trauma e shkaktuar nga kjo fatkeqësi është jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë të premten David Fisher, drejtuesi i delegacionit të IFRC-së në Nepal. “Mijëra banesa janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Besojmë se të paktën 93 mijë persona janë prekur dhe kanë nevoja të mëdha për ndihmë. Numri i viktimave është shumë i lartë dhe, fatkeqësisht, pritet të vazhdojë të rritet”.

Përmbytjet vdekjeprurëse nisën të mërkurën në mëngjes, pasi një masë e madhe akulli nga një akullnajë në Himalaje u shkëput dhe ra në luginë, në zonën e Parkut Kombëtar Langtang në Nepal. Rënia e masës së akullit shkaktoi një vërshim të jashtëzakonshëm uji, balte, shkëmbinjsh dhe akulli, i cili u përhap me shpejtësi përgjatë lumenjve dhe luginave. Përmbytjet shkatërruan fshatra, si dhe dëmtuan rëndë apo shkatërruan centrale elektrike, rrugë dhe ura.

Terreni i pjerrët malor i Nepalit dhe luginat që shtrihen poshtë tij janë veçanërisht të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Ekspertët theksojnë se ngjarje ekstreme të motit, përfshirë reshjet e dendura të musoneve dhe shkrirjet e akullnajave, janë bërë më të shpeshta për shkak të ngrohjes globale të lidhur me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

“Dëmet janë të jashtëzakonshme”, ka thënë të premten Lila Pieters Yahia, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara në Nepal. Ajo ka bërë të ditur se më shumë se 40 ura janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, ndërsa mbi 40 kilometra rrugë janë shkatërruar plotësisht.

Deri të premten pasdite, numri i viktimave kishte arritur në 543 persona: 538 në Nepal dhe pesë në anën tjetër të kufirit, në Tibet, Kinë. Autoritetet nepaleze kanë bërë të ditur se 1.942 persona janë ende të zhdukur. Mes tyre ndodhen edhe qindra shtetas të huaj, të cilët ndodheshin në këtë zonë për punë, udhëtime turistike apo pelegrinazhe fetare.

Ekipet e shpëtimit kanë raportuar se kanë gjetur trupa qindra kilometra larg zonës së katastrofës, të marrë nga rrjedha e ujit deri në distriktin Chitwan të Nepalit. Dhjetëra persona të lënduar janë transportuar në Katmandu për të marrë trajtim të specializuar mjekësor, ndërsa më shumë se 100 persona janë shpëtuar nga pjesëtarë të ushtrisë nepaleze me helikopterë.