Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka thënë të martën në Kroaci se njohja e një shteti palestinez do të kërcënonte stabilitetin rajonal.
Saar e ka bërë deklaratën gjatë një konference për media së bashku me ministrin e Jashtëm kroat, Goran Grlic Radman gjatë një vizite në Zagreb, një ditë pasi sulmuesit palestinezë hapën zjarr në një stacion autobusi gjatë orës së pikut të mëngjesit në Jerusalem të hënën, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 12 të tjerë.
“Sulmi terrorist i djeshëm demonstroi rreziqet e krijimit të një shteti terrorist palestinez në zemër të atdheut tonë”, ka thënë Saar.
“Shteti palestinez nuk kërcënon thjesht ekzistencën e Izraelit. Iniciativa aktuale për të njohur të ashtuquajturin shtet palestinez dëmton gjithashtu stabilitetin rajonal. Ajo shpërblen Hamasin për masakrën e 7 tetorit”, ka shtuar ai.
Hamasi ka përshëndetur sulmin në stacionin e autobusit pa marrë përgjegjësi, duke e quajtur atë një "përgjigje natyrale ndaj krimeve të pushtimit kundër popullit tonë".
E presidenti Mahmoud Abbas, kreu i Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht, ka dënuar “çdo shënjestër të civilëve palestinezë dhe izraelitë” dhe ka denoncar të gjitha format e dhunës dhe terrorizmit, pavarësisht nga burimi i tyre.
Disa shtete, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Belgjikën, kanë paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez këtë muaj.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka kërkuar një evakuim të plotë të Qytetit të Gazës të martën në mëngjes përpara ofensivës së saj të planifikuar të zgjeruar në qytetin verior, ku qindra mijëra njerëz luftojnë në kushte urie.
Njoftimi ishte paralajmërimi i parë për një evakuim të plotë të qytetit në rundin aktual të luftimeve.
Më parë, ushtria ka paralajmëruar pjesë specifike të Qytetit të Gazës të evakuohen përpara operacioneve ose sulmeve të përqendruara.
Kryeministri izraeli, Benjamin Netanyahu ka thënë se lufta do të vazhdojë derisa të kthehen të gjithë pengjet dhe Hamasi të jetë çarmatosur.