Botë

Ngrihet zëri kundër Vuçiqit

Partitë opozitare kanë thënë se Qeveria populiste e Vuçiqit ka nxitur jotolerancën dhe gjuhën e urrejtjes teksa ka mbajtur nën kontroll të gjitha institucionet, por ka mbushur ndasitë. Vuçiqi ka mohuar këto akuza. Ai ka thirrur tubimin e vet më 26 maj në Beograd, për të cilën ka thënë se do të jetë më e madhja ndonjëherë.

Lideri populist i Serbisë, Alexandar Vuçiq, ka kritikuar ashpër planet e opozitës për të bllokuar urën kyç dhe autostradën në Beograd me qëllim që të bëjnë presion për kërkesat e tyre pak ditë pas sulmeve në masë në të cilat mbetën të vrarë 17 persona, në mesin e tyre shumë fëmijë.

Presidenti Alexandar Vuçiq ka thënë se protesta e planifikuar e opozitës është “dhunë në politikë” dhe “tallje” me qytetarët. Mirëpo ai ka shtuar se policia nuk do të intervenojë vetëm “nëse jetët e njerëzve janë në rrezik”.

“Çfarë u jep atyre të drejtën për t’i bllokuar jetët normale të njerëzve?”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se opozita po abuzon me tragjedinë pas vrasjeve që e kanë tronditur shtetin, por edhe kanë nxitur thirrjet për ndryshim.

“Ata po tallen me qytetarët dhe nuk po i lejojnë të udhëtojnë. Mirëpo neve nuk na pëlqen që t’i rrahim protestuesit, siç bëjnë Franca dhe Gjermania”, ka insistuar presidenti serb.

Protesta e së premtes është organizuar vetëm një javë pasi mijëra njerëz marshuan në Beograd. Me protesta është kërkuar dorëheqja e ministrave të Qeverisë dhe heqja e lejeve për dy televizione private të afërta me shtetin dhe që kanë promovuar dhunë. Këto televizione shpesh kanë të ftuar kriminelë lufte dhe figura të krimit.

Protesta me të njëjta kërkesa janë mbajtur edhe gjatë javës së kaluar në disa qytete të Serbisë. Zyrtarët e opozitës kanë thënë se bllokimi i urës në Beograd do të bëhet për dy orë.

Dy sulmet në masë ndodhën brenda dy ditësh, duke lënë të vdekur 17 persona dhe 21 të plagosur. Një 13-vjeçar të mërkurën e kaluar përdori revolen e babait për të hapur zjarr në shkollën fillore në qendër të Beogradit, ndërkaq një ditë më vonë, 20-vjeçari hapi zjarr ndaj njerëzve në pjesën rurale të Beogradit.

Partitë opozitare kanë thënë se Qeveria populiste e Vuçiqit ka nxitur jotolerancën dhe gjuhën e urrejtjes, teksa ka mbajtur nën kontroll të gjitha institucionet, por ka mbushur ndasitë. Vuçiqi ka mohuar këto akuza. Ai ka thirrur tubimin e vet më 26 maj në Beograd, për të cilën ka thënë se do të jetë më e madhja ndonjëherë.

“Ne nuk organizojmë tubime spontane me qëllim që të luajmë me ndjenjat e njerëzve”, ka insistuar Vuçiqi. “E jona do të jetë tubim i unitetit kur do të njoftojmë vendime të rëndësishme politike”.

Vuçiqi gjithashtu u ka thënë gazetarëve se qytetarët kanë dorëzuar më shumë se 9 mijë armë qëkur Policia njoftoi për fushatën me të cilën njerëzit do të dorëzonin armët pa leje dhe armatimin, ose do të përballeshin me dënime me burgim.

Serbia vlerësohet se është në topshtetet e Evropës kur bëhet fjalë për numrin e armëve për kokë banori. Shumë prej armëve kanë mbetur nga luftërat e viteve ’90. Ndërkaq masat e tjera janë edhe ashpërsimi i kushteve për leje, kontroll më të ashpër ndaj pronarëve të armëve dhe poligoneve.