Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka ftuar përfaqësuesit e studentëve protestues në një debat publik, përpara kamerave.
Ai ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me 3-4 përfaqësues që i zgjedhin studentët.
“Serbia duhet t’i zgjidhë problemet e veta përmes dialogut demokratik, jo dhunës. I ftoj përfaqësuesit e lëvizjes bllokuese për një bisedë dhe debat publik rreth vizioneve, për planet dhe programet për të ardhmen dhe të dënojnë dhunën në rrugë bashkë”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Instagram.
Menjëherë pas ftesës së Vuçiqit, kanë reaguar studentët. Ata të Fakultetit të Bujqësisë janë përgjigjur se do të shkojnë në debat kur Vuçiqi të shpallë zgjedhjet. Edhe studentë të fakulteteve të tjera patën të njëjtën përgjigje, raportoi Danas.
“Presidenti na ka ftuar në debat publik. Qartë ai nuk ka përgjigje për revoltën e popullit, kështu që tani dëshiron të flasë me ne, që na ka quajtur terroristë me muaj. Do të diskutojmë për vizionet dhe programet për të ardhmen në fushatën zgjedhore, kur ai të shpallë zgjedhjet”, kanë deklaruar studentët e Fakultetit të Filozofisë.
Protestat kanë nisur tash e nëntë muaj në Serbi, me kërkesë kryesore përcaktimin e përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Studentët që kanë protestuar masivisht i konsiderojnë të pashmangshme zgjedhjet e reja, pasi thonë se pushteti aktual nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë në Novi Sad.