Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nëntë të vdekur nga trazirat në stadiumin e El Salvadorit

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një përplasjeje në një stadium futbolli në kryeqytetin e El Salvadorit, San Salvador, raportoi të dielën BBC-ja.

Zyrtarët policorë kanë bërë të ditur se shtatë burra dhe dy gra janë në mesin e viktimave, të gjithë mbi moshën 18-vjeç.

Trazirat kanë ndodhur gjatë një ndeshjeje midis ekipit vendas Alianza dhe ekipit Fas të Santa Anas në stadiumin “Monumental”.

Pas këtij incidenti, ndeshja është pezulluar.

Rasti ndodhi pasi një numër i madh i tifozëve kanë tentuar të hyjnë në stadium pas mbylljes së portave.

Autoritetet kanë deklaruar se disa tifozëve u janë shitur bileta false për çka tashmë ka filluar një hetim.

Luis Alonso Amaya, nga Mbrojtja Civile e El Salvadorit ka bërë të ditur se rreth 500 njerëzve u është dhënë trajtim mjekësor, shumë prej të cilëve janë transferuar në spital.

Edhe Rreth 50 të vdekur nga një stampedo gjatë një ndeshjeje futbolli në Guinea Botë Rreth 50 të vdekur nga një stampedo gjatë një ndeshjeje futbolli në Guinea

Ministri i Shëndetësisë, Francisco Alabi, ka thënë se shumica e të lënduarve janë në gjendje stabile dhe se nuk ka pasur raportime për vdekje nga spitalet.

Federata Salvadorane e Futbollit ka thënë se të gjitha ndeshjet e futbollit të nivelit kombëtar të dielën do të pezullohen. Duke shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, kjo federatë ka shprehur mbështetjen e saj për familjet e viktimave.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka thënë se fajtorët për këtë incident nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.