Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në Turqi, jeta u shtrenjtua për 70 për qind për një vit

Jeta është shtrenjtuar për gati 70 për qind në Turqi për një vit, nga prilli në prill, kanë treguar të dhënat zyrtare, shkruan BBC.

Ushqimi, transporti e pajisjet shtëpiake kanë shënuar shtrenjtimin më të madh në një vit. Çmimet e transportit janë dyfishuar në këtë periudhë.

Shtetet në botë po përballen me kosto to shtrenjtuar të jetesës për shkak të krizës qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Por problemet e Turqisë kanë qenë më të mëdha për shkak të rezistencës së presidentit për t’i ngritur kamatat – masë që zakonisht përdoret për të ulur inflacionin.

Çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike u ngritën për 89 për qind, ndërsa pajisjet shtëpiake për 77.64 për qind.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Turqi, çmimet u rritën për 7.25 për qind vetëm në prill.

Turqia në këtë periudhë ka përjetuar rënie të madhe të vlerës së lirës, pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan ka pasur më shumë prioritet eksportet sesa stabilitetin e valutës.