Arbëri

Inflacioni ndryshon shprehitë e qytetarëve - rritja e çmimeve bëhet gati e papërballueshme

Brenda një viti, çmimet janë rritur për 4.3 për qind. Ka qytetarë që thonë se janë detyruar t’i reduktojnë daljet, shkaku i inflacionit që nuk është përcjellë edhe me rritje pagash. E, ekspertët kanë rekomanduar masa për Qeverinë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve

Rexhep Hajrizi dikur dilte më shpesh, por ka vite që llogarit çdo shpenzim. Me çmimet që njohin rritje nga muaji në muaj dhe të hyrat që nuk lëvizin, ai thotë se është i detyruar të kursejë në çdo aspekt.

“Nuk po kemi çfarë të bëjmë, po duhet me kursy maksimalisht për me mujtë me arritë fundin e muajit, përndryshe nuk mundesh me arrit. Me ta thanë të drejtën edhe daljet i kemi reduktu, sepse sa më shpesh po dalim, pare po duhet ma tepër, shpenzon më tepër edhe nuk mundesh me ja dal”, ka thënë Hajrizi.

Ai ankohet se çmimet nuk përcillen edhe me ngritje të pagave.

“Nuk po mundem me dit, në krahasim me rrogat dhe pensionet nuk janë çmimet kërkah. Trefish po rriten çmimet, rrogat po rrin njëjtë, nuk po ecin”, është shprehur ai.

Ngritja e çmimeve ka vazhduar edhe sivjet. Sipas Agjencisë së Statistikave, në muajin qershor inflacioni arriti në 4,3 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të shkuar.

Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se rritja e madhe e çmimeve muajt e fundit lidhet kryesisht me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pas vendimit që bizneset të dalin në treg të hapur të energjisë.

“Normalisht bizneset kanë planifikuar fitimet dhe në këtë rast barra e kësaj rritjeje të çmimeve është bartur tek konsumatori. Fatkeqësisht të dy akterët, qeveria dhe bizneset po luftojnë mes vete për çmimin e energjisë elektrike, por fatkeqësisht qytetarët ose konsumatorët po e bartin këtë barrë të kësaj lufte”, ka thënë Qerimi. 

E, Selatin Kaçaniku, i cili është kryetar i Shoqatës së Konsumatorëve, ka shtruar nevojën që institucionet të ndërmarrin një numër masash për ta mbrojtur konsumatorin.

“Qeveria ta njohë qytetarin konsumator dhe në kuadër të MINT-it ku e kemi Drejtoratin e Tregtisë, Drejtoratin e Industrisë, ta kemi edhe Drejtoratin e jo Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, duhet të jetë drejtorati. Pastaj duhet ta kemi ta pavarur Ministrinë e mbrojtjes së konsumatorit. Hapi i dytë është që ta rikonstruktojë tregun. Hapi i tretë, tregu nuk bën pa ligje, zbatueshmëria e ligjeve duhet të ngrihet”, ka thënë Kaçaniku.

Në muajin qershor 2025, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht për 0,7 për qind, krahasuar me muajin paraprak, majin.