OpEd

Nën flamurin e demagogjisë

Nuk duhet njohuri e thellë ekonomike për të konstatuar se në kushtet kur deficiti tregtar është i madh, borxhi publik i kufizuar, kur nuk ka qasje në kredi dhe inflacioni është i lartë, Qeveria duhet të dalë me një politikë ekonomike që duhet të krijojë pará në ekonomi pa e shtuar inflacionin. E këtë mund ta bëjë edhe me nxitjen e investimeve të huaja produktive, e jo blerje të banesave, por në industri dhe eksport, dhe që ta ndalojë spekulimin edhe me masa prej rregullatori – sikur kishte bërë me naftën disa herë në të kaluarën. Por këto politika duket të jenë shumë të komplikuara për interpretuesin e Kushtetutës dhe për shefin e tij, që përherë e shohin vetëm njërën anë të medaljes.

Edhe dy muaj mbaron 2025-ta.

Dhe kur do të na pyesin se për çka do ta mbajmë mend këtë vit, do të themi: për numrin rekord të zgjedhjeve brenda një viti; për shkatërrimin e nervave kolektive të krejt një populli nga liderët e partive politike dhe 120 deputetëve të kotë që i kanë marrë nga 1.5 milionë euro rroga vetëm për konstituimin e Kuvendit (edhe nja gjysmë milioni i kanë marrë asistentët e tyre, për t’ua mbajtur çantat me gjasë); për trashjen e demagogjisë deri në pikë të absurdit; për fyerjen e inteligjencës së secilit nga ne dhe për një shtet që me vetëdëshirë zgjedh të jetojë prej krize në krizë.

Dështimi për ta zgjedhur qeverinë e re qe i paralajmëruar prej kohësh. VV-ja nuk i pati votat as në mars, e nuk i bëri as në tetor. Nuk i bëri, pse nuk deshi. Për shkak se përdori ton konfrontues tetë muaj me radhë; i përçmoi kundërshtarët politikë dhe ua shtyri durimin deri te Gjykata Kushtetuese – duke ditur se secili shqyrtim në këtë trup, do t’i hante edhe së paku një muaj.

Që nga fillimi qe e qartë se do të shkonim në zgjedhje të parakohshme, për shkak se të gjithë u kishin hyrë kalkulimeve. Gjithashtu që nga fillimi ka qenë e qartë se Kosova i kishte hyrë ngecjes së thellë institucionale dhe se rrezikonte të mbeste pa buxhet e pa trupa të pavarur, që e kanë humbur shumicën e bordeve ka shumë kohë tashmë.

Të gjitha kanë qenë të qarta që nga marsi. Bllokada e shkaktuar nga VV-ja për shkak të shfrytëzimit të një vakumi juridik në Kushtetutë, në lidhje me afatin për konstituimin e Kuvendit dhe futja në valle të krejt partive deri dje opozitare në lojën “kujt t’ia lëmë kilen”, na sollën në një situatë që zor do ta kishim paramenduar se do ta jetonim.

* * *

Fjalimi i Kurtit të dielën qe një shfaqje e kalkuluar. Duke e ditur se nuk i ka votat, e bëri një ekspoze të punëve që i ka kryer në mandatin e shkuar, dhe doli me pesë premtime zgjedhore, të cilat për shkak të pozitës që mban mund t’i realizojë si pati, si nuk pati Kuvend, komisione parlamentare a qeveri me mandat të plotë.

Fjalimi i tij qe demagogjik: “Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimin me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara... Prandaj ftoj secilin deputet të Kuvendit, që sot kur Qeveria të hidhet në votim, të votojë jo thjesht për interes partiak, por për interesin publik e shtetëror që t’i japim vendit Qeverinë e re”.

Pavarësisht të vërtetave që i thoshte në këtë fjali, se shteti mbeste pa buxhet, etj., atë që nuk e tha është se përgjegjësit kryesorë për gjendjen janë partia e tij dhe ai si lider i saj. Për shembull, po të mos kishte insistuar me kokëfortësi ta kandidonte Albulena Haxhiun pesëdhjetë e kusur herë, buxheti ishte harruar moti. Kishim shkuar në zgjedhje shumë më herët, dhe do të kishim pasur një qeveri që do ta kalonte buxhetin, pa e pritur afatin e fundit të përcaktuar me ligj (31 tetor).

Kështu, për ta vazhduar cirkun më tej, dje u mbajt mbledhja e Qeverisë, në të cilën u miratuan krejt rritjet e mundshme që mund të sjellin vota – të dytat brenda një viti dhe që të dy rritjet para zgjedhjeve parlamentare.

Ato që i përmendi në fjalim, rritjen e rrogave të sektorit publik, rritjen e pensioneve, të shtesave fëmijërore dhe të rrogës minimale, ndër të tjera, krejt i miratoi me një lëvizje.

Pra, rrogat e sektorit publik do të ngrihen tutje, dhe hendeku me ato të sektorit privat do të rritet, pavarësisht se Qeveria vendosi ta rrisë rrogën minimale (nuk e di a funksionon fare Këshilli Ekonomiko Social, që supozohet se, në parim, e propozon pagën minimale). Të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk mund të jetosh me 500 euro nëse mban familje, paguan qira e ke shpenzime të tjera, pra rritja e pagës minimale duhet të përkrahet. Por, në situatën e krizës së thelluar ekonomike, ajo që mund të rezultojë në fund është rritja e numrit të punëtorëve me pagë minimale dhe shuarja e vendeve të punës me rroga të shkallëzuara.

* * *

Prej të gjitha vendimeve të djeshme populiste, një qe e lidhur për sektorin privat (nëse nuk llogaritet rroga minimale), dhe kjo qe super puna për ata që punësojnë gra – shteti do të subvencionojë 6 muaj rrogën minimale për to. Porse nuk e kanë thënë se gjithashtu nuk do ta paguajnë subvencionin nëse subjekti afarist ka obligime të pashlyera në ATK.

Por, sikurse nuk e kemi dëgjuar asnjëherë në këta thuajse pesë vjet, nuk e dëgjuam asnjë fjalë të vetme për problemet që i ka Kosova në ekonomi. Nuk dëgjuam as të vetmen fjalë për ndonjë zgjidhje kalimtare për ta nxjerrë atë nga lloçi. Asnjëherë nuk dëgjuam se çfarë do të bëjë ekzekutivi, qoftë edhe në detyrë, për ta luftuar deficitin tregtar (që është më i madh sesa buxheti i shtetit) – nuk e dëgjuam mundësinë për ndonjë politikë nxitëse për t’i shtuar eksportet; mbështetjen e prodhimin të vendit – për shkak se paratë tona shkojnë jashtë, dhe as remitencat nuk mund ta balancojnë shpërputhjen e transaksioneve.

As Qeveria e as BQK-ja nuk e pranojnë se në Kosovë as bankat nuk kanë likuiditet, për shkak se në treg nuk ka mjaftueshëm para. E borxhet grumbullohen. Por, a mos i ra ndërmend Qeverisë t’i shtyjë pagesat tatimore apo t’u ofrojë lehtësira fiskale bizneseve që kanë vështirësi? Në vend se të injektonte para përmes projekteve publike (e kjo Qeveri u tregua kampione për vëllimin më të vogël të investimeve kapitale strategjike), i mban paratë në Thesar, në emër të kursimit.

Asnjëherë nuk dëgjuam se si mund të mbahet disiplina fiskale edhe pa pasur nevojë që shteti të sillet si përmbarues privat, në vend se ta luajë rolin e rregullatorit ekonomik. Kur ke krizë, mbështetja për muri do ta sjellë efektin e kundërt: humbjen e vendeve të punës dhe rënie të mëtejshme të konsumit.

Nuk duhet njohuri e thellë ekonomike për të konstatuar se në kushtet kur deficiti tregtar është i madh, borxhi publik i kufizuar, kur nuk ka qasje në kredi dhe inflacioni është i lartë, Qeveria duhet të dalë me një politikë ekonomike që duhet të krijojë pará në ekonomi pa e shtuar inflacionin. E këtë mund ta bëjë edhe me nxitjen e investimeve të huaja produktive, e jo blerje të banesave, por në industri dhe eksport, dhe që ta ndalojë spekulimin edhe me masa prej rregullatori – sikur kishte bërë me naftën disa herë në të kaluarën.

Por këto politika duket të jenë shumë të komplikuara për interpretuesin e Kushtetutës dhe për shefin e tij, që përherë e shohin vetëm njërën anë të medaljes.

* * *

Unë u thërras logjikës dhe racionalitetit. Konsensusi nënkupton logjikë ku vlejnë aspektet universale të të menduarit dhe në anën tjetër racionalitetit, ku ne, bashkërisht shpresoj, që do të mund ta kemi një situatë ku në Kuvendin e Republikës, meqë kemi Kuvend të konstituuar, ky buxhet i rritur dhe i mirë, do të kalojë në legjislaturën e nëntë, e cila tash e ka edhe shtëpinë e vetë, Kuvendin e Republikës.

Ironike.

Kjo qe deklarata e Kurtit pas miratimit të projektbuxhetit, që i është nisur një Kuvendi që nuk ka as komisione parlamentare dhe që në teori do të mund të funksionojë vetëm edhe 5 ditë. Kjo, për shkak se zor se do të kemi një qeveri të zgjedhur edhe në përpjekjen e dytë (nëse do të ketë përpjekje të dytë).

Përderisa veprimet e të gjithëve e kanë pasur një logjikë – shkuarjen në zgjedhjet e reja, se askush nuk ishte i lumtur me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ato nuk kanë qenë fare racionale sa u përket interesave të qytetarëve.

Krejt maltretimet, ironitë, përçmimet, talljet, akuzat, “spinat” kanë qenë krejt iracionale dhe janë mbështetur në të drejtën për të propozuar dhe në të drejtën për të mos votuar, ose për të votuar kundër.

Dhe për çka?

“Pse m’u ka tekë”, do të thoshte një ish-kryeministër.

Po, siç do të përsëritej shumë shpesh në këtë kolumne: fajet i kemi vetë që i durojmë teket e politikanëve tanë të pacipë.

[email protected]