Shumë njerëz në Turqi po përballen me vështirësi të shtuara pasi çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë ngritur. Ndërsa rritja e çmimeve të konsumit po prek vendet në mbarë botën teksa ato rikthehen nga pandemia e koronavirusit, ekonomistët thonë se inflacioni i madh i Turqisë është përkeqësuar nga keqmenaxhimi ekonomik
Pronares së stendës së tregut, Kadriye Dogru, i mjafton për drekë simitja me susam të cilën e gatoi ditë më parë. Nëna e vejë e dy fëmijëve thotë se shkon në punë pa ngrënë drekë me qëllim që t’i vendosë familjes ushqim në tryezë.
Paratë që 59-vjeçarja fiton duke shitur rroba në tregun Ortakcilar të Stambollit nuk kursehen shumë dhe ajo po lufton për të blerë ushqime, e lëre më diçka tjetër.
“Nuk kisha përjetuar kurrë një jetë kaq të mjerueshme. Shkoj të fle, zgjohem dhe çmimet janë rritur. Bleva një bidon vaj (gatimi) 5 litra, ishte 40 lira. Kur u ktheva ishte 80 lira”, thotë ajo. “Ne nuk e meritojmë këtë si shtet”.
Shumë njerëz në Turqi po përballen me vështirësi të shtuara pasi çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë ngritur. Ndërsa rritja e çmimeve të konsumit po prek vendet në mbarë botën teksa ato rikthehen nga pandemia e koronavirusit, ekonomistët thonë se inflacioni i madh i Turqisë është përkeqësuar nga keqmenaxhimi ekonomik, nga shqetësimet mbi rezervat financiare të vendit dhe nga shtytja e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të ulur normat e interesit.
Ai pretendon se kostot më të ulëta të huamarrjes do të nxisin rritjen, megjithëse ekonomistët thonë se e kundërta është mënyra për të zbutur çmimet në rritje. Lira turke ka rënë në nivele rekorde kundrejt dollarit amerikan, pasi banka qendrore e vendit ka ulur normat e interesit, duke nxitur shqetësime për pavarësinë e saj.
Në mes të kësaj krize janë turqit e përditshëm që përpiqen të sigurojnë bukën e gojës.
“Gjithçka është kaq e shtrenjtë, nuk mund të blej asgjë”, thotë Suheyla Poyraz teksa kërkonte në tezgat me ushqime në tregun Ortakcilar në lagjen “Eyupsultan” të Stambollit.
Amvisja 57-vjeçare ka votuar për partinë e Erdoganit dhe i ka bërë thirrje Qeverisë të veprojë për t’i dhënë fund inflacionit.
“Nëse ju jeni qeveria dhe nëse po ju votojmë për t’i rregulluar gjërat, pse nuk po ndërhyni? Pse nuk po ndaloni rritjen e çmimeve?”, thotë Poyraz.
Inflacioni i lartë ka dëmtuar popullaritetin e Erdoganit, vitet e hershme të pushtetit të të cilit u karakterizuan nga një ekonomi e fortë. Sondazhet tregojnë se një koalicion i partive opozitare që kanë formuar bllokun kundër partisë në pushtet të Erdoganit dhe aleatëve të saj nacionalistë po e ngushtojnë me shpejtësi hendekun.
Qeveria turke thotë se inflacioni është rritur gati 20 për qind në tetor krahasuar me një vit më parë, por Grupi i pavarur i kërkimit të inflacionit, i përbërë nga akademikë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë, e vendosi atë afër 50 për qind. Në krahasim, çmimet në SHBA u rritën rreth 6% nga një vit më parë - më së shumti që nga viti 1990 - dhe inflacioni në 19 vendet e Bashkimit Evropian që përdorin euron kaloi 4%, më i larti në 13 vjet.
Monedha e Turqisë, si rezultat, arriti nivelin më të ulët historik prej 10 kundrejt dollarit amerikan javën e kaluar dhe ka humbur rreth 25 për qind të vlerës së saj që nga fillimi i vitit. Kjo po rrit çmimet, duke i bërë importet, karburantet dhe mallrat e përditshme më të shtrenjta. Teksa disa argumentojnë se një lirë më e dobët i bën eksportuesit turq më konkurrues në ekonominë globale, shumica e industrisë së Turqisë mbështetet në lëndët e para të importuara.
Ka shqetësime për ndikimin e Erdoganit mbi politikën monetare. Ai ka emëruar katër guvernatorët e Bankës Qendrore që nga viti 2019 dhe ka shkarkuar bankierë që thuhet se i kanë rezistuar uljes së normave të interesit. Banka ka ulur normat me 3 pikë përqindjeje që nga shtatori dhe do të publikojë vendimin e fundit të enjten.