Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në Glasgou protestohet kundër qëllimeve të samitit

Një copë prej katër tonelatash e ajsbergut është sjellë të premten nga Grenlanda në Glasgou para objektit ku po mbahet konferenca për klimën nën organizimin e Kombeve të Bashkuara.

Me dhuratën e ftohtë, synohet që t’u kujtohet liderëve të botës nevoja urgjente për marrjen e veprimeve konkrete për luftimin e krizës së klimës.

Platforma shkencore, “Arctic Basecamp”, ka thënë se liderët duhet ta dinë se akullnajat po shkrihen për shkak të ngritjes së temperaturës së botës. Ndërkohë, mijëra protestues, shumica të rinj nga mbarë bota, kanë kërkuar nga liderët e shteteve që lëshojnë pe për arritjen e një ujdie kritike për mbrojtjen e mjedisit nga emetimit e dyoksidit të karbonit, që është shkaktari kryesor i ndryshimit klimatik.

Në protestat me emrin “Të Premtet e së Ardhmes” ka pasur edhe pankarta me slogane për ndaljen e krimeve kundër klimës.

Shumë të rinj nga shtete të vogla ishullore kanë thënë se me këtë trend të ngritjes së temperaturës së botës, vendet e tyre rrezikojnë të vërshohen nga ngritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve.