Pas mungesës së madhe të ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë, kamionë me ndihma janë parë duke hyrë në Gaza përmes pikë kalimit Rafah, të hënën. Ndërkohë, paralelisht më këtë, forcat izraelite vazhdojnë ofensivën në dy qytetet më të mëdha në Gaza
Disa kamionë me ndihma u panë duke hyrë në Gaza përmes pikës kufitare Rafah të hënën, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra mes forcave izraelite dhe grupit Hamas.
Ndihma erdhi në kohën kur palestinezët po përballen me mungesë të madhe ushqimi, uji dhe produkte të tjera bazë në Rripin e Gazës.
E forcat izraelite kanë vazhduar luftimet kundër militantëve palestinezë në dy qytetet më të mëdha të Gazës, mes civilëve që ende strehohen përgjatë vijës së frontit.
SHBA-ja ka ofruar mbështetje të palëkundur diplomatike dhe ushtarake për fushatën ushtarake, edhe pse i ka kërkuar Izraelit të minimizojë viktimat civile dhe zhvendosjen masive. Lufta ka lënë të vdekur mijëra civilë palestinezë dhe ka dëbuar gati 85% të 2.3 milionë njerëzve nga shtëpitë e tyre.
Banorët thonë se pati luftime të ashpra në dhe rreth qytetit jugor të Khan Younisit, ku forcat tokësore izraelite nisën sulmet javën e kaluar pas një armëpushimi njëjavor.
Edhe
Nisin përgatitjet për futjen e ndihmave në Gazë sipas planit të paqes
Beteja pati edhe në pjesë të qytetit të Gazës dhe në kampin e refugjatëve Jabaliya në Gazën veriore, ku sipërfaqe të mëdha banimi janë kthyer në gërmadha.
Në Gazën qendrore, një sulm ajror izraelit gjatë natës rrafshoi një ndërtesë banimi ku rreth 80 njerëz po qëndronin në kampin e refugjatëve Maghazi, treguan banorët.
Ahmed al-Qarah, që po gërmonte nëpër rrënoja për të mbijetuarit, fqinjë të tij, tha se njihte vetëm gjashtë persona që ia dolën.
“Pjesa tjetër është nën ndërtesë”, ka treguar ai.
Disa nga të vdekurit u sollën në një spital aty pranë ku të dashurit e tyre shiheshin duke qarë dhe duke thënë lutjet e varrimit.
Në Khan Younis, Radëa Abu Frayeh pati po ashtu sulme izraelite gjatë natës rreth Spitalit Evropian, ku zyra humanitare e OKB-së thotë se dhjetëra mijëra njerëz kanë kërkuar strehim. Ajo tha se një prej bombave goditi një shtëpi afër saj të dielën vonë.
Hamasi besohet të ketë pësuar humbje të mëdha, por edhe nga ta të hënën u lëshuan breshëri raketash që ndezën sirenat në Tel Aviv.
Frika nga zhvendosja e përhershme
Me pak ndihma të lejuara në Gaza, palestinezët përballen me mungesë të mëdhe të ushqimit, ujit dhe mallrave të tjera bazë. Disa shqetësohen se palestinezët do të detyrohen të largohen krejtësisht në një përsëritje të eksodit masiv nga territori që tani është Izraeli.
“Pritet që rendi publik të prishet plotësisht së shpejti dhe një situatë edhe më e keqe mund të shpaloset duke përfshirë sëmundjet epidemike dhe presionin e shtuar për zhvendosje masive në Egjipt”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në një forum në Katar të dielën.
Edhe
Tanket izraelite hyjnë më thellë në Gazë, shumë të plagosur mbesin të bllokuar
Eylon Levy, zëdhënës i qeverisë izraelite, i quajti brutale dhe të rreme akuzat se Izraeli synon të dëbojë njerëzit masivisht nga Gaza.
Por zyrtarë të tjerë izraelitë kanë diskutuar një skenar të tillë, duke ngritur alarmin në Egjipt dhe vendet e tjera arabe që refuzojnë të pranojnë refugjatë.
Në të njëjtën kohë, nuk është e qartë se kur ose nëse palestinezët do të lejohen të kthehen në qytetin e Gazës dhe në pjesën më të madhe të veriut – shtëpia e rreth 1.2 milionë banorëve para luftës – ku lagje të tëra janë rrafshuar.
Palestinezët në Liban dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli vëzhguan një grevë të përgjithshme të hënën të thirrur nga aktivistët që kërkojnë armëpushim, pasi SHBA vuri veton ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një votim i ngjashëm, jodetyrues është planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të martën.
Kushtet e rënda në jug
Izraeli thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe fajëson Hamasin për vdekjet e tyre, duke thënë se rrezikon banorët duke luftuar në zona të dendura dhe duke pozicionuar infrastrukturën ushtarake - duke përfshirë armë, tunele dhe raketahedhës - brenda ose pranë ndërtesave civile.
Ushtria ka njoftuar se pesë ushtarë u vranë në një betejë në Gazën jugore të dielën, pasi militantët qëlluan mbi ta nga një shkollë dhe ndezën një mjet shpërthyes. Ajo ka theksuar se trupat, të mbështetur nga avionë dhe tanke, iu përgjigjën zjarrit dhe vranë militantët.
Forcat që veprojnë në Jabaliya gjetën një kamion plot me raketa me rreze të gjatë veprimi pranë një shkolle dhe një pushkë, dy granatahedhës me raketa dhe eksplozivë në një shtëpi.
Izraeli u ka kërkuar njerëzve që të ikin në ato që thotë se janë zona të sigurta në jug – dhe luftimet në dhe rreth Khan Younis kanë shtyrë dhjetëra mijëra banorë të nisen drejt qytetit të Rafah dhe zonave të tjera përgjatë kufirit me Egjiptin. Por Izraeli ka vazhduar të godasë objektivat e dyshuar të militantëve në të gjithë territorin.
Gazetarët e Associated Press panë nëntë trupa që u sollën në një spital lokal të hënën pasi një sulm ajror goditi një shtëpi në Rafah gjatë natës.
Edhe
Izraeli sërish vret palestinezë afër pikave për shpërndarje ndihmash
Grupi i ndihmës “Doctors Without Borders” ka treguar se njerëzit në jug po sëmuren gjithashtu teksa grumbullohen në strehimore të mbushura me njerëz ose flenë në tenda në zona të hapura.
Me luftën në muajin e tretë të saj, numri i të vdekurve palestinezë në Gaza ka tejkaluar shifrën e 17.900, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Ministria nuk bën dallim midis vdekjeve të civilëve dhe luftëtarëve. (Përktheu: Blerta Haxhiu)