Strategjia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihma nga ajri në Gazë ka nxitur debat. Organizatat humanitare vlerësojnë se këto ndihma s’i përmbushin nevojat e palestinezëve, ndërsa veprimi konsiderohet simbol i dështimit të përpjekjeve për dërgim të ndihmave në tokë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se kanë lëshuar nga ajri 36 mijë shujta në Gazën Veriore të martën në koordinim me Jordaninë. Qe misioni i dytë i tillë gjatë ditëve të fundit.
Ndihma erdhi një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se fëmijët po vdisnin nga uria në veri, ku të paktën 300 mijë palestinezë janë duke jetuar me pak ushqim ose ujë të pastër. Por strategjia ka nxitur debate të shumta. Organizatat humanitare kanë thënë se kjo nuk mund t’i përmbushë nevojat në rritje. Gjithashtu ky veprim konsiderohet simbol i dështimit të përpjekjeve të dërgimit të ndihmave në tokë.
Kamionët e ndihmave kanë qenë duke u futur në jug të Gazës përmes vendkalimit në Rafah të kontrolluar nga Egjipti dhe vendkalimit Kerem Shalom të kontrolluar nga Izraeli gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Por veriu, i cili ka qenë fokusi i fazës së parë të ofensivës tokësore të Izraelit, është përballur me ndërprerje të ndihmave gjatë muajve të fundit.
Më 20 shkurt, organizata “World Food Programme” e Kombeve të Bashkuara (WFP) për shpërndarje të ushqimit, pati thënë se do t’i pezullonte dërgesat e ushqimit në Gazën veriore, sepse autokolonat e para të ndihmës për tri javë kanë shkaktuar “kaos total dhe dhunë për shkak të prishjes së rendit civil”, duke përfshirë plaçkitjet.
Të enjten e kaluar, më shumë se 100 palestinezë qenë vrarë gjatë nxitimit të turmave për të arritur në autokolonat e ndihmës të drejtuara nga kontraktorë privatë që po mbikëqyreshin nga forcat izraelite në perëndim të qytetit të Gazës.
Zyrtarët e shëndetit palestinez kanë thënë se njerëzit janë vrarë kur forcat izraelite filluan të qëllonin. Ushtria izraelite ka mohuar vrasjet duke thënë se shumica e njerëzve kanë vdekur, sepse janë shkelur nga turma ose janë përplasur nga kamionët e ndihmës. Ajo ka thënë se ushtarët afër autokolonës së ndihmës kanë qëlluar njerëzit të cilët iu janë afruar ose që i konsideronin si kërcënim.
Ushtria e Izraelit ka filluar kampanjën tokësore dhe ajrore në Gazë pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ku janë vrarë 1,200 njerëz dhe janë marrë peng 253 të tjerë. Më shumë se 30,000 njerëz janë vrarë në Gazë që atëherë, ka thënë Ministria e shëndetit e udhëhequr nga Hamasi.
“Nuk ka mjaftueshëm”
Më shumë se 20 hedhje nga ajri të ndihmave në Gazë janë kryer gjatë javëve të fundit në koordinim me ushtrinë izraelite, me Francën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin së bashku me SHBA-në dhe Jordaninë.
Banori i Gazës, Ismail Mokbel, ka thënë se pakot e ndihmave të lëshuara të premten kanë përmbajtur disa bishtaja dhe disa produkte thelbësore për shëndetin e grave.
Abu Youssef, një tjetër banor i Gazës, ka thënë se nuk ishte në gjendje të merrte ndihma të lëshuara afër spitalit “al-Shifa” në qytetin e Gazës.
“Papritmas, kur ishim duke shikuar qiellin, ne pamë parashutat e ndihmës. Ne qëndruam në vendin ku ishim, derisa ndihmat ranë në tokë rreth 500 metra larg nesh. Atje kishte shumë njerëz, por ndihmat ishin të pakta dhe ne nuk arritëm të merrnim asgjë”, ka thënë ai.
Mokbeli ka deklaruar se ka pasur pak ndihma të lëshuara për të përmbushur nevojat elementare të një numri të madh të njerëzve në atë zonë.
“Mijëra qytetarë i shihnin ndihmat teksa binin nga qielli... Dhe kur qindra apo mijëra njerëz presin në këto zona, vetëm rreth 10 ose 20 njerëz arrijnë të marrin gjëra, teksa të tjerët kthehen duarthatë. Fatkeqësisht, kjo metodë e lëshimit të ndihmave nga ajri nuk është mënyra më e mirë për të transportuar ndihma në distriktin verior të Gazës”, ka shtuar ai. “Gaza ka nevojë për rrugë tokësore dhe ajrore për dërgimin e ndihmave, në vend të mënyrës ajrore, e cila nuk i përmbush nevojat e të gjithë qytetarëve”.
“Të shtrenjta e jo gjithëpërfshirëse”
Së pari e përdorur në Luftën e Dytë Botërore për t’i furnizuar trupat e izoluara në tokë, lëshimet e ndihmave nga ajri kanë evoluar në një mjet me vlerë për të shpërndarë ndihma humanitare. Për herën e parë nga OKB-ja janë përdorur në vitin 1973.
Megjithatë, ato janë konsideruar si “zgjidhje e fundit”, dhe që të përdoren vetëm “kur opsionet më efektive dështojnë”, siç ka thënë WFP-ja në një raport të vitit 2021. Sudani Jugor është vendi i fundit ku WFP-ja ka lëshuar ndihma nga ajri.
“Ndihmat e lëshuara nga ajri janë të shtrenjta, rastësore dhe zakonisht bien në duart e personave të gabuar”, ka thënë Jan Egelandi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve dhe ish-shef i ndihmës së OKB-së, pas kthimit nga një vizitë treditore në Gazë.
Ndihmat e lëshuara nga ajri janë shtatë herë më të shtrenjta krahasuar me ndihmat e dërguara tokësore për shkak të shpenzimeve të avionëve, naftës dhe personelit, ka thënë WFP-ja.
Përveç kësaj, vetëm një sasi e vogël mund të dërgohet për çdo fluturim, në krahasim me çka mund të sjellin kamionët e autokolonave dhe kërkohet koordinim më i madh brenda zonës së shpërndarjes, ka thënë WFP-ja.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq gjithashtu ka theksuar rëndësinë e kontrollimit të shpërndarjes për të parandaluar rrezikimin e jetës së njerëzve nga konsumimi i sendeve të papërshtatshme ose të pasigurta.
“Shpërndarja e llojeve të ushqimit të pambikëqyrur te njerëzit të cilët janë të kequshqyer apo edhe të uritur mund të shkaktojë rreziqe serioze për jetën. Këto rreziqe duhet të peshohen kundrejt dërgimit të asgjësë nga ajri, ose vonesat që mund të shkaktojë një shpërndarje tokësore”, pati paralajmëruar organizata në një raport në vitin 2016, të publikuar kur ndihmat ishin duke u lëshuar nga ajri në Siri gjatë luftës civile.
“Lëshimet e ndihmave nga ajri mund të kryhen nga lartësi të ndryshme, që shkojnë nga 300 metra në 5,600 metra në zonat e konfliktit, dhe kështu sigurimi i paketimit të fortë është thelbësor për t'u siguruar që parcelat mund të durojnë goditjen në tokë”, ka shtuar WFP-ja.
Sipas agjencisë, zonat e lëshimit duhet të jenë të mëdha, zona të hapura jo më të vogla se një fushë futbolli. Për këto arsye shpërndarjet e ndihmave janë fokusuar në bregdetin e Gazës.
Gjithsesi, kjo ndonjëherë ka rezultuar në rënien e ndihmave në det ose janë fryrë nga era në Izrael, sipas disa llogaritjeve lokale.
“SHBA-ja t’i bëjë presion Izraelit”
Banori i Gazës, Samir Abo Sabha ka thënë se beson që SHBA-ja duhet të bëjë më shumë dhe t’iu bëjë presion aleatit, Izraelit, për armëpushim.
“Si qytetar i Gazës, këto gjëra nuk janë të dobishme”, ka thënë ai. “Çfarë duam ne është që Amerika t’i bëjë presion Izraelit për armëpushim dhe të ndalojë dhënien e armëve dhe raketave për Izraelin”.
Disa aktivistë të ndihmave i kanë bërë jehonë kësaj thirrjeje.
“Në vend të lëshimeve ajrore pa kriter në Gazë, SHBA-ja duhet të ndalojë dhënien e armëve në Izrael, që përdoren për sulme, të shtyjë armëpushimin e menjëhershëm dhe lëshimin e pengjeve dhe të këmbëngulë që Izraeli të kryejë detyrën e tij për të ofruar ndihmë humanitare, qasje dhe shërbime të tjera elementare”, ka shkruar Scott Paul i “Oxfam America”, organizatë jofitimprurëse, në platformën X.
Melanie Ward nga “Medical Aid for Palestinians”, organizatë bamirëse që ofron shërbime mjekësore në Bregun Perëndimor, ka thënë se SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerët duhet të “sigurohen që Izraeli t’i hapë menjëherë vendkalimet në Gazë për ndihma dhe punonjësit e ndihmave për të ndihmuar ata që kanë nevojë”.
Por teksa kjo krizë rritet, të tjerët kanë argumentuar se ushqimi duhet të shpërndahet nga të gjitha mjetet e mundshme.
“Ne duhet të dërgojmë ushqim në Gaza në çdo mënyrë të mundshme. Ne duhet ta dërgojmë atë përmes detit”, ka thënë José Andrés, kryekuzhinier dhe themelues i “World Central Kitchen”, që ka dërguar ushqim në Gazë. “Unë nuk mendoj se duhet të kritikojmë Jordaninë dhe Amerikën për lëshimet ajrore. Në fakt, ne duhet të aprovojmë çdo iniciativë që dërgon ushqim në Gazë”.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja do të “dyfishojë përpjekjet për të hapur korridor detar dhe për të zgjeruar dërgesat nga toka” – por këto përpjekje nuk janë kthyer në realitet në terren.
Daniel Hagari, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, ka thënë të dielën se janë duke lehtësuar punën e autokolonave dhe lëshimeve ajrore të ndihmave në Gazën Veriore, “sepse duan që ndihmat humanitare t’i arrijnë njerëzit palestinezë në nevojë”.
“Ne do të zgjerojmë përpjekjet tona humanitare për popullatën civile në Gazë teksa arrijmë synimet tona për lirimin e pengjeve nga Hamasi dhe lirimin e Gazës nga Hamasi”, ka shtuar ai.
Marrë nga BBC. Përktheu Latra Gashi