Në spitalin kryesor në kryeqendër të Rumanisë, Bukuresht, nuk ka më hapësirë në morg për të vdekurit e ditëve të fundit, dhe mjekët në Bullgari kanë pezulluar operimet rutinore në mënyrë që të ndihmojnë të infektuarit me COVID-19, pas rritjes së madhe të numrit të rasteve.
Në kryeqendër të Serbisë, Beograd, në varreza punohet me orar më të gjatë, për të varrosur trupat që vijnë, njofton agjencia AP.
Për dy muaj tash, një valë e re e infeksionit me koronavirus ka goditur pa mëshirshëm disa shtete në Evropën Lindore dhe Qendrore, ku niveli i vaksinimit është më i ulët se në shtetet tjera në kontinent.
Derisa punonjësit shëndetësorë kanë bërë thirrje për masa më të ashpra përfshirë edhe mbyllje, liderët kanë qenë hezitues me javë të marrin masa.
“Nuk besoj në masat. Nuk besoj në masat e njëjta që kanë ekzistuar para vaksinave”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq muajin e kaluar, ndërsa Serbia po vazhdon të regjistrojë shifrat më të rënda të pandemisë që nga fillimi i pandemisë. “Pse kemi vaksina atëherë?”
Edhe
Liderëve nuk u ngutet, derisa virusi po shpërthen në Evropën Lindore
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar më herët këtë muaj se Evropa sërish është epiqendër e pandemisë së koronavirusit. Derisa disa shtete në Evropën Perëndimore po shohin rritje të infeksionit, janë shtetet në Evropën Lindore që po kanë numër më të madh të vdekurve. Rumania, Bullgaria dhe shtetet e Ballkanit kjanë regjistruar disa prej shifrave më të larta të vdekurve për kokë banori në botë në javën e parë të nëntorit, sipas OBSH-së.
Ekspertët thonë se fushatat e ngatërruara të vaksinimit dhe sistemet shëndetësore të nënfinancuara dhe të keqmenaxhuara kanë ndikuar në shpërthimin e fundit. Shumë mjekë në këto vende thonë se u vonua shumë për të marrë masa dhe nuk mjafton.
Shumë qeveri në këtë rajon kanë zgjedhje së shpejti dhe kjo padyshim i ka bërë hezitues të detyrojnë njerëzit të vaksinohen apo të përcaktohen për mbyllje.
Por, dështimi i politikanëve për të dëgjuar me shpejtësi thirrjet e mjekëve me gjasë ka minuar besimin edhe ashtu të dobët në institucionet në këto vende ku korrupsioni është i përhapur.
Keqinformimi rreth vaksinave ka gjetur gjithashtu terren pjellor këtu.
Edhe
Infektologët në Kosovë i druhen përhapjes së furishme, apelojnë për vaksinim
Kështu kanë mbetur këto shtete duke u përballur me goditje të rëndë nga vala e re.
Bullgaria, Rumania, të dyja në bashkim Evropian, kanë vaksinuar vetëm 23 përkatësisht 35 për qind të popullatës. Bosnja-Hercegovina ka vaksinuar plotësisht vetëm 21 për qind.
Liderët në Rumani më në fund kanë vendosur masa këtë muaj, duke u kërkuar personave pasaportë COVID, ndërsa ata që nuk kanë duhet të qëndrojnë në shtëpi nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Infeksionet kanë rënë pak, por spitalet mbeten të stërngarkuara.
Në Serbi, disa spitale janë aq të ngarkuara sa po merren vetëm me pacientët me koronavirus, duke shtyrë mjekët të akuzojnë Brnabiqin, qeveria e të cilët përballet me zgjedhje në prill.
“Që kur Brnabiq tha se nuk beson në masa, rreth 900 persona kanë vdekur”, ka thënë Slavica Plavsiq, një specialist i sëmundjeve të mushkërisë për televizonin “N1” më 21 tetor.
Edhe
Rumania po lufton me valën e saj më të keqe nga COVID-19
Brnabiq ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se është krenare për reagimin e qeverisë.
Ndërkohë autoritetet në varreza në Beograd thonë se tash ka rreth 65 varrime në ditë, krahasuar me 35-40 sa ishin para pandemisë. Po punohet edhe të dielave për të përballur ngarkesën.