Nga sulmet e fundit që goditën Ukrainën, përveç qytetit perëndimor Lviv, edhe në vendin fqinj, Moldavi, është raportuar për ndërprerje masive të energjisë elektrike.
Ndonëse nuk është goditur drejtpërdrejt, më shumë se gjysma e Moldavisë është pa energji elektrike, ka njoftuar zëvendëskryeministri Andrei Spinu, shkroi të mërkurën BBC-ja.
“Errësirë masive në Moldavi pas sulmit të sotëm rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, ka shkruar ai.
Rusia ka shtuar kohët e fundit sulmet e saj ndaj rrjeteve energjetike të Ukrainës.
Një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovy, tha se fëmijët ishin dërguar në strehimore me mësuesit e tyre, ndërsa u bëri thirrje prindërve që të mos i merrnin derisa të mbaronte alarmi.
Në rajonin e afërt të Zaporizhzhias, një foshnjë e porsalindur u vra kur një raketë goditi një njësi materniteti, thanë shërbimet e urgjencës. Për këtë sulm është fajësuar Rusia.
Edhe
600 mijë familje në terr pas sulmit rus në Ukrainë
Shumë zona të Ukrainës të goditura të mërkurën ishin afër vendeve fqinje, duke përfshirë Lvivin, vetëm 80 km nga Polonia, ku një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase vrau dy njerëz javën e kaluar.
Qytetet Chervonohrad dhe Yavoriv, gjithashtu afër kufirit polak, pësuan ndërprerje të energjisë elektrike.
Sulmet ruse kanë dëmtuar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës dhe miliona njerëz janë pa energji ndërsa temperaturat bien drejt dimrit.