Lideri opozitar rus, Alexei Navalny, ka konfirmuar të mërkurën, se është transferuar në një burg tjetër dhe është karantinuar.
Navalny ka shkruar në Telegram se është transferuar në burgun e sigurisë së lartë IK-6, në fshatin Melekhovo të rajonit Vladimir, rreth 250 km në lindje të Moskës, raportoi Associated Press të mërkurën.
Navalny, kundërshtari politik më i vendosur i presidentit rus, Vladimir Putin, më parë ishte mbajtur në burgun IK-2 në rajonin e Vladimir, i cili shquhet për metodat e rrepta ndaj të burgosurve.
“Udhëtimi im në hapësirë vazhdon. Unë kam lëvizur nga anija në anije”, ka shkruar Navalny të mërkurën.
Ai tha se ishte i mbyllur në një "regjim të rreptë" dhe në karantinë, por nuk foli për kushtet e tij.
Navalny u arrestua në janar të vitit 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me agjent nervor, gjë për të cilën ai e fajësoi Kremlinin.
Ai mori një dënim prej 2 vjet e gjysmë për shkeljen e kushteve të lirimit me kusht, ndërsa ishte jashtë Rusisë.