Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjendet Navalny

Kira Yarmysh, zëdhënësja e politikanit të burgosur rus, Alexei Navalny, njoftoi se ai është zhvendosur në një koloni penale në Arktik, në Rusinë veriore, pasi vendndodhja e tij nuk dihej tash e tri javë. Yarmysh ka shkruar në rrjetin social Telegram se Navalny është në gjendje të mirë shëndetësore, ka raportuar BBC-ja të hënën.

“E gjetëm Alexei Navalnyn. Avokati i tij e ka takuar sot”, ka njoftuar ajo.

Ekipi i avokatëve të opozitarit rus s’ka qenë në kontakt me klientin e tij qëkur është raportuar për zhvendosjen e tij nga burgu qendror.

Navalny, kundërshtari kryesor i presidentit Vladimir Putin, është i burgosur që nga 2021-a. Ai njihet për zërin kundër korrupsionit në Rusi dhe mobilizimin e mijëra rusëve kundër pushtetit të Putinit.

Në 2020-n, Navalny ishte helmuar në Siberi nëpërmjet një agjenti nervor, e pas trajtimit në shtetet perëndimore, me t’u kthyer në Rusi, ishte arrestuar menjëherë.