Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, nuk është më në burgun IK-6 Melekhovo, pasi është bartur në një burg tjetër, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende, tha të hënën zëdhënësja për media e kritikut të Kremlinit, Kira Yarmysh.
“Ata sapo dolën nga ndërtesa e IK-6 Melekhovo dhe i thanë një avokati se i burgosuri Navalny nuk është më në listën e të burgosurve. Ata nuk pranojnë të thonë nëse ai është transferuar”, tha Yarmysh në rrjetin social X.
Më herët gjatë ditës, Yarmysh tha se Navalnyt nuk i ishte lejuar të komunikonte për gati një javë, ndërsa avokatëve të tij nuk i ishte lejuar ta takonin atë në burg.
Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu rrit dënimi në 19 vjet burgim, pasi u gjet fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.
Dënimi paraprak i ishte shqiptuar më 2021, pasi kishte arritur në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar nga një helmim, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.
Edhe
Vdiq Navalny, lideri i burgosur opozitar rus
Para se të burgosej, ai ishte opozitari më i zëshëm që organizoi protesta të mëdha kundër Qeverisë ruse.
Tre prej avokatëve të Navalnyt - Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster - janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitetit ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit./REL