Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Navalny e lajthit agjentin që ia konfirmon helmimin nga FSB-ja e Putinit

Një hulumtim i gjatë i dy mediumeve, CNN dhe “Bellingcat”, ka zbardhur skemën kriminale me lidhje deri në majën e pushtetit rus, për tentim vrasjen me helm të liderit opozitar, Alexei Navalny. Duke pretenduar se është ngarkuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Rusisë për ta hetuar rastin, Navalny e ka nxitur agjentin Konstantin Kudryavtsev t’ia shpalosë fije e për pe krejt aksionin për helmimin e tij në Siberi

Njëri prej agjentëve që ishte dërguar gjatë gushtit në qytetin siberik Tomsk për ta helmuar liderin opozitar rus, Alaxei Navalny, e ka konfirmuar se sulmi me agjentin nervor “Novichok” ishte kryer me urdhër të agjencisë së spiunazhit FSB, kanë raportuar televizioni amerikan CNN dhe portali hulumtues rus “Bellingcat”. Ai ka konfirmuar se si helmi ishte vendosur në rrobat e brendshme.

Konstantin Kudryavtsev, pjesë e Shërbimit të Inteligjencës, ka rënë në grackën e Navalnyt, i cili i është paraqitur në telefon si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare me qëllim që të konfirmonte dyshimet e ngritura nga dy mediumet. Kudryavtsev ka zhvilluar një bisedë të gjatë, duke i dhënë llogari Navalnyt që shtirej se është anëtar i njërit prej mekanizmave më të lartë të sigurisë kombëtare në Rusinë e presidentit Vladimir Putin.

Ekipi prej dhjetë agjentësh

Navalny e kishte sfiduar Putinin me ekspozimin e aferave korruptuese në majën e pushtetit rus. “Bellingcat” dhe CNN kanë zhvilluar javën e kaluar një hulumtim të thuktë rreth zhvillimeve që lidheshin me përgatitjet e terrenit nga agjencia ruse e spiunazhit kundër liderit opozitar.

Edhe Rusia u kërkon vendeve evropiane prova për akuzat se ka vrarë Navalnyn Botë 5 muaj më parë Rusia u kërkon vendeve evropiane prova për akuzat se ka vrarë Navalnyn

Navalny u helmua në gusht gjatë fluturimit nga qyteti siberik. Ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u detyrua të ndalej rrugës për të marrë shërbim urgjent. Pastaj u trajtua në një spital të Berlinit, ku edhe iu krye ekspertiza laboratorike substancës së përdorur gjerësisht gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik kundër kundërshtarëve politikë. Perëndimi e ka akuzuar vazhdimisht shtetin rus se kishte gisht në helmimin e Navalnyt, por Moska i ka hedhur poshtë akuzat.

Putini në thelb ka konfirmuar javën e kaluar se agjentët e FSB-së e kishin përcjellë Navalnyn gjatë udhëtimit në Siberi, por ka ngulmuar se po qe se Rusia do ta donte të vdekur, atëherë do ta hiqte atë qafe pa asnjë problem.

“Ekipi hulumtues i ‘Bellingcat’ dhe CNN ka zbardhur se ekipi i toksinave i FSB-së përbëhej nga gjashtë deri në dhjetë agjentë që e kishin përcjellë Navalnyn për më shumë se tre vjet me radhë. Pasi identifikuan shumicën prej tyre, CNN dhe ‘Belingcat’ provuan të vinin kontakt me disa prej tyre dhe me eprorët e tyre”, ka shkruar televizioni amerikan në shkrimin e gjatë të publikuar të hënën.

Njëri prej tyre, Oleg Tayakin, e ka mbyllur derën kur është pyetur nga CNN-ja për këtë shkrim. Të tjerët nuk kanë dashur të përgjigjen.

“Njëherësh, Navalny po bënte thirrje telefonike. Në fillim u tregonte agjentëve se kush ishte, dhe ata menjëherë ia mbyllnin lidhjen. Në thirrjen e fundit bërë Kudryavtsev, ekipi i tij vendosi të ndiqte një qasje tjetër”, duke u shtirur se telefonuesi ishte një zyrtar i lartë shtetëror.

Si ia doli Navalny

Navalny po vazhdon të qëndrojë në Gjermani pas trajtimit mjekësor. Vendndodhja e tij nuk është bërë e ditur për shkaqe sigurie. Por dy mediumet, të cilat kanë kontakte me liderin opozitar rus, kanë treguar se si Navalny pretendoi se ishte zyrtar i lartë i ngarkuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Rusisë për t’u marrë me zbardhjen e dyshimeve se FSB-ja kishte gisht në helmimin e tij. Numri ishte sajuar që të dukej si i selisë së FSB-së, ka bërë të ditur ekipi i Navalnyt për CNN-në. Dhe si pjesë e dëshmisë së bisedës së zhvilluar me agjentin, Navalny ka incizuar krejt bisedën telefonike që pastaj ua ka ofruar mediumeve.

Që në krye të bisedës, Navalny e nxit Kudryatsevin që ta konfirmonte identitetin e tij. Pastaj i thotë se ishte ngarkuar për të analizuar “shkurtimisht se çfarë nuk shkoi mbarë, pse u dështua krejtësisht në Tomsk në operacionin me Navalnyn”.

Image

Reagimet e Kudryatsevit janë siguruar nëpërmjet bisedës prej 45 minutash, duke ofruar kështu dëshmi të njërit prej personave të përfshirë drejtpërdrejt në aksion.

Kishte momente gjatë bisedës kur agjenti hezitonte të lëshohej në informacione të hollësishme, por Navalny, duke dashur të tregohej sa më bindës, e shtynte me pyetje të shpeshta dhe me pretendimin se “krejt këto çfarë po flasim do të diskutohen në nivelin më të lartë të Këshillit të Sigurisë”. Ai vazhdimisht ia kujtonte se i ishte kërkuar që të hartonte një raport të hollësishëm për ngjarjet.

Pse të brendshmet ishin cak sulmi?

Të dhënat e reja do të përbëjnë sfidë për autoritetet ruse që mohonin kategorikisht se kishin lidhje me përpjekjen për vrasjen e figurës më të zëshme opozitare të viteve të fundit në vend. “Novichok” ishte substancë e krijuar në laboratorët sovjetike për t’i shënjestruar kritikët dhe kundërshtarët më të mëdhenj të sistemit komunist.

Dhe gjatë bisedës me Navalnyn, agjenti Kudryatsev ka spikatur se si agjenti ishte vendosur në rrobat e brendshme të Navalnyt.

Navalny e pyet: “Çfarë lloj rrobash u shënjestruan? Cila është pjesa më e rrezikshme e veshjeve?”

Kudryavtsev ia kthen shkurt: “Të brendshmet”.

Edhe Kremlini mohon akuzat se ka helmuar Navalnyn me toksinë bretkose Botë 5 muaj më parë Kremlini mohon akuzat se ka helmuar Navalnyn me toksinë bretkose

Navalny ngulmon që t’i tregohet nëse agjenti ishte hedhur në anën e brendshme, apo të jashtme.

“E brendshmja, aty ky lidhen këmbët”, i thotë Kudryatsev.

CNN-ja ka bërë të ditur në shkrimin hulumtues se ka konsultuar edhe toksikologë, të cilët kanë folur për shkallën e rrezikut të helmimit nëpërmjet veshmbathjeve. Ata kanë treguar se agjenti “Novichok” do të futej në organizim në momentin që personi i shënjestruar do të fillonte të djersitej. Dhe kjo ka dëshmuar se agjenturat ruse kishin zgjedhur formën më të sigurt, sikurse ishte vepruar me sulmin kundër ish-agjentit të dyfishtë, Sergei Skripal, në Mbretërinë e Bashkuar.

Rezultati i papritur

Krejt puna është munduar që të rezultojë me sukses pas sigurimit të të dhënave të mijëra thirrjeve telefonike, dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të tjera të ekipit të toksinave helmuese, kanë raportuar “Belingcat” dhe CNN. Është zbardhur se në natën kur agjenti nervor ishte futur në dhomën e hotelit të Navalnyt, ishte detektuar zhurma e një thirrjeje telefonike të njërit prej agjentëve. Ai nuk ndodhej më larg se disa qindra metra nga hoteli. Ai ishte Alexei Alexandrov.

Kudryatsev ka pranuar se e njeh Alxandrovin dhe ka lavdëruar punën e tij në shërbimin sekret.

“CNN-ja nuk mund të konfirmojë se Kudryatsevi ishte gjithashtu në Tomsk kur u vendos helmi. Por thirrja telefonike ka treguar se ai kishte njohuri të madhe se çfarë kishte ngjarë dhe se ishte i përfshirë në operacionin e pastrimit me qëllim që të sigurohej se nuk do të kishte gjurmë ‘Novichoku’ pas daljes së Navalnyt nga spitali”, ka shkruar CNN. Nëse fluturimi do të vazhdonte drejt Moskës, atëherë me siguri se Navalny do të vdiste, kanë thënë ekspertët e toksikologjisë pas konsultave nga televizioni amerikan.

“Fluturimi zgjat rreth tri orë, ky është fluturim i gjatë”, dëgjohet në bisedën telefonike Kudryavtsev. “Nëse nuk do të aterronte aeroplani, efekti do të ishte ndryshe dhe rezultati do të ishte ndryshe. Andaj mendoj se aeroplani pati rolin vendimtar në këtë pjesë”.

Ai më vonë ka thënë se ekipi vrasës nuk kishte parashikuar se mund të kishte aterrim urgjent të aeroplanit. “Jam i sigurt se gjithçka shkoi mbrapsht”, i thotë agjenti Navalnyt, duke lënë të kuptohet se qëllimi i FSB-së ishte që ta vriste Navalnyn, fund tragjik që e kanë përjetuar shumica e atyre që ishin sulmuar me agjentin “Novichok”.

Kur është pyetur nëse doza e gabuar e helmit do të mund të administrohej, Kudryavtsev ka thënë: “Qysh e di unë, kemi shtuar pak më shumë”.

Fshirja e gjurmëve

E kaluara e agjentit të FSB-së tregon se është specialist i armëve biologjike dhe kimike. Ai kishte kryer studimet në degën e Akademisë Ruse të Mbrojtjes Kimike në Moskë.

“Bellingcat” ka mësuar se ai kishte punuar në qendrën e 42-të të Ministrisë së Mbrojtjes – qendër kërkimore për siguri biologjike e kësaj ministrie.

Hulumtimi i dy mediumeve amerikane e ruse, me përfshirje edhe të revistës gjermane “Der Spiegel” dhe portalit rus “The Insider”, kishin siguruar më parë dëshmi të udhëtimeve të Kudryavtsevit në Tomsk më 25 gusht, pesë ditë para se të helmohej Navalny.

Edhe Rusia e vrau Navalnyn me toksinë bretkose, thonë ndërkombëtarët Botë 5 muaj më parë Rusia e vrau Navalnyn me toksinë bretkose, thonë ndërkombëtarët

“Kur arritëm, na e dhanë helmin djemtë lokalë të Omskut me policinë”, ka bërë të ditur agjenti në bisedën telefonike me Navalnyn. Ata kishin përdorur preparate kimike me qëllim që të mos ngelej asnjë gjurmë e agjentit nervor.

“Kështu që nuk do të kishte ndonjë befasi nga veshjet?” – e pyet Navalny. “Kjo ishte arsyeja pse shkuam disa herë atje”, ia kthen agjenti Kudryavtsev.

Autoritetet ruse kanë hedhur poshtë kërkesat e Navalnyt për t’ia kthyer veshmbathjet për t’i bërë ndonjë ekspertizë më të sofistikuar jashtë vendit. Agjenti ka treguar se krejt aksioni ishte kryer nën urdhrat e Stanislav Makshakovit, shkencëtar i identifikuar në hulumtim si zyrtar në krye të ekipit të helmimeve, që është pjesë e Njësitit të kriminalistëve në FSB, me seli në periferi të Moskës. Ai më parë kishte punuar në Institutin Shikhany, dikur qendër kërkimore shkencore sovjetike për armët kimike. Të dhënat tregojnë me dëshmi se pjesë e ekipit janë edhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të identifikuar që ishin pjesë e operacionit për helmimin e Navalnyt.