Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia hedh poshtë hetimet e reja rreth rastit Navalny

Foto: Reuters

Moskë, 16 dhjetor (Reuters) – Rusia ka mohuar gjetjet e një hetimi të përbashkët të disa mediave që kanë identifikuar vrasësit e angazhuar nga shteti rus për helmimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se lajmi ishte argëtues për t’u lexuar. Ai ka thënë se rusët janë mësuar me faktin se Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Perëndimit vazhdimisht akuzojnë Rusinë qoftë për sulmet kibernetike, qoftë për helmimet.

Opozitari Navalny të hënën ka thënë se rasti i helmimit të tij është zgjidhur kur një hetim i përbashkët i mediave ka identifikuar një ekip vrasësish nga shërbimi i sigurisë ruse, FSB. Hetimi ka treguar se ky ekip e ka vëzhguar Navalnyn për vite të tëra. Sipas tij, operuesit e FSB-së janë të specializuar në armët kimike.

Mediat në këtë hetim kanë raportuar se Navalny është përcjellë plot 37 herë në katër vjetët e fundit. Hetimi është realizuar nga Bellingcat, media ruse “The Insider” në bashkëpunim me CNN-in dhe revistën gjermane “Der Spiegel”. Kremlini vazhdimisht ka mohuar se autoritetet kanë tentuar të vrisnin Navalnyn, kritikun më të madh të presidentit Vladimir Putin. Opozitari rus u helmua me agjentin nervor Novichok gjatë kthimit nga Siberia për në Moskë në muajin gusht.

Artikuj të ngjashëm