Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NATO mirëpret vendimin e SHBA-së për dërgimin e 3,000 trupave në Evropë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka përshëndetur vendimin e sotëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dërguar 3,000 trupa shtesë në Gjermani, Poloni dhe Rumani, për të forcuar pozicionet e mbrojtjes në krahun lindor të aleancës mes një kërcënimi rus për të pushtuar Ukrainën.

Stoltenberg tha se kjo është një shenjë e fortë e angazhimit të Uashingtonit për sigurinë e përbashkët në një kohë të tensioneve të intensifikuara me Moskën për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

“Ky është një sinjal i fortë i angazhimit të SHBA-së dhe vjen së bashku me kontributet e tjera të fundit të SHBA-së për sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë Stoltenberg, raporton AA.

Ai shtoi se vendosja e forcave të SHBA-së forcon më tej mbrojtjen kolektive të NATO-s, pasi aleatët tjerë vendosën së fundmi të dërgojnë më shumë forca ajrore, detare dhe tokësore në Evropën Lindore.

Sipas tij, veprimi i fundit i Shteteve të Bashkuara ishte mbrojtës dhe proporcional dhe dërgoi një mesazh të qartë se Aleanca do të bënte gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët.

Presidenti amerikan Joseph Biden miratoi sot vendosjen e 2,000 trupave amerikane në Poloni dhe Gjermani, ndërsa 1,000 trupa do të transferohen nga Gjermania në Rumani.

Artikuj të ngjashëm