Rreth 600 ushtarë francezë të angazhuar si pjesë e grupit të betejave të NATO-s në Rumani kanë mbajtur ushtrime për të testuar gatishmërinë e Aleancës në pjesën lindore të Evropës.
Në stërvitjet ushtarake që u mbajtën në qytetin Smaradan janë përfshirë 200 automjete ushtarake, përfshirë katër tanket franceze të llojit “Leclerc”.
Këto tanke kanë përdorur armatim të vërtetë. Ministria rumune e Mbrojtjes ka bërë të ditur se qëllim kryesor i stërvitjeve ishte përgatitja më e shpejtë në misionet luftuese.
Tanket “Leclerc” të përdorura të mërkurën janë modeli i njëjtë që presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar mundësitë për t’u dërguar në Ukrainë.
Kievi vazhdimisht ka kërkuar tanke nga aleatët perëndimorë në luftën kundër Rusisë.
Kjo kërkesë ka nisur të plotësohet gjatë kësaj jave nga Gjermania, e cila ka vendosur të dërgojë tanket e veta “Leopard 2” dhe ka miratuar kërkesën e shteteve të tjera për të dërguar tanket e këtij lloji në Ukrainë.
Si reagim kundër pushtimit rus të Ukrainës, NATO-ja ka përforcuar prezencën në kufirin lindor të Evropës, duke dërguar ushtri shtesë në Rumani, Hungari, Bullgari dhe Sllovaki.