Botë

NATO-ja teston kapacitetet në lumin Danub në Rumani

Trupat e NATO-s kanë kryer stërvitje ajrore dhe detare në lumin Danub dhe përreth tij në Rumani.

Dhjetëra trupa të NATO-s janë parë nëpër anije në rajonin Mahmudia në shtetin rumun.

NATO-ja ka njoftuar se këto janë stërvitje të planifikuara dhe kanë të bëjnë me mbrojtjen.

NATO-ja ka deklaruar se në një ambient të kontestuar dhe të rrezikshëm, stërvitjet ushtarake dërgojnë mesazh të qartë se aleanca është në gatishmëri për ta mbrojtur çdo cep të territorit të NATO-s.

Në muajt e fundit aleanca ushtarake ka shpeshtuar stërvitjet dhe ka angazhuar trupa në shtetet aleate përreth Rusisë.

Si kundërpërgjigje, në ditët e fundit edhe Rusia ka kryer testime të raketave balistike. Moska ka testuar raketat kundër anijeve në Detin e Japonisë.

Rusia ka njoftuar se raketat e përdorura kishin kapacitet bërthamor.

Kjo raketë ka lëvizur me shpejtësinë e zërit dhe ka rreze goditëse deri në 250 kilometra.