Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Mossad”-i e paralajmëroi SHBA-në se Irani po planifikon sulme

Agjencia izraelite e inteligjencës, “Mossad” e kishte paralajmëruar SHBA-në rreth një plani të mundshëm të Iranit për sulm mbi interesat amerikane në rajonin e Gjirit, para se Washingtoni ta kumtonte lajmin për dërgimin e aeroplanmbajtëses me aeroplanë luftarakë në Lindjen e Mesme, kanë raportuar të mërkurën mediet izraelite.

Disa aeroplanë luftarakë B-52, me kapacitet për të bartur koka bërthamore, ia kanë mësyrë rajonit, bashkë me aeroplanmbajtësen, e cila është duke e përcjellë atë që Ministria amerikane e Mbrojtjes e ka quajtur “indikacion i qartë që forcat iraniane po përgatisin sulme të mundshme mbi forcat e SHBA-së”, shkruan “Al-Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”.

“Dërgimi i aeroplanmbajtëses ‘USS Abraham Lincoln’ dhe grupit të aeroplanëve bombardues konsiderohet si hap i matur në reagimin ndaj treguesve për gatishmëri të përforcuar iraniane për ndërmarrjen e operacioneve sulmuese kundër forcave amerikane dhe interesave tona”, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, Charles Summers.

Ai ka shtuar se SHBA-ja nuk synon luftë kundër regjimit të Iranit, por dëshiron që të mbrojë stafin amerikan, aleatët dhe interesat në rajon.