Autoritetet malajziane kanë thënë se kërkimi për rrënojat e fluturimit MH370 të “Malaysia Airlines” do të rifillojë më 30 dhjetor, më shumë se një dekadë pasi aeroplani me 239 persona në bord u zhduk.
Kërkimi i ri, i cili do të zgjasë 55 ditë, kishte filluar në mars, por u pezullua menjëherë për shkak të motit të keq.
“Zhvillimi i fundit nënvizon angazhimin e Malajzisë për t'u dhënë fund dilemave të familjeve të prekura nga kjo tragjedi”, ka thënë të mërkurën Ministria e Transportit, sipas mediave lokale, transmeton BBC.
Fluturimi MH370, një Boeing 777, u zhduk në vitin 2014 ndërsa udhëtonte nga Kuala Lumpur në Pekin dhe çoi në operacionin më të madh kërkimor në historinë e aviacionit.
Kompania e eksplorimit Ocean Infinity po udhëheq kërkimin aktual sipas një marrëveshjeje “që nëse nuk gjen asgjë, nuk do të paguhet”. Ajo do të marrë 70 milionë dollarë nëse gjenden rrënojat, ka thënë më parë ministri i Transportit, Loke Siew Fook.
Përpjekjet e mëparshme përfshijnë kërkimin shumëkombësh që përfshinte 60 anije dhe 50 avionë nga 26 vende, i cili përfundoi në vitin 2017. Një tjetër përpjekje e vitit 2018 nga Ocean Infinity përfundoi pas tre muajsh pa rezultat.
Fluturimi MH370 humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror më pak se një orë pas ngritjes më 8 mars 2014, dhe radari tregoi se kishte devijuar nga rruga origjinale e fluturimit.
Mbetet një nga misteret më të mëdha të aviacionit, i cili vazhdon të përndjekë familjet e atyre që ishin në bord. Gjatë viteve, shumë kishin bërë thirrje për një kërkim të ri, duke vënë në dukje vështirësitë e tyre për të gjetur zgjidhje.
Incidenti gjithashtu ka dhënë shkas për një mori teorish konspirative, duke përfshirë spekulime se piloti e kishte rrëzuar qëllimisht aeroplanin ose se ishte rrëmbyer.
Një hetim në vitin 2018 zbuloi se kontrollet e aeroplanit ka të ngjarë të jenë manipuluar qëllimisht për ta nxjerrë atë nga kursi, por nuk nxorrën përfundime pas kësaj.
Hetuesit thanë në atë kohë se “përgjigja mund të jetë përfundimtare vetëm nëse gjenden rrënojat”.